
Gjatë këtij muaji do të mbahen edhe tre tryeza të tjera, në të cilat Misioni do të konsultojë një spektër të gjerë ekspertësh rreth ndikimit që ka mungesa e financimit në transmetuesin publik dhe në politikën redaktuese.
RTK nuk ka pasur financim të qëndrueshëm që nga viti 2009, kur gjykata suspendoi financimin e RTK-së përmes faturave të energjisë elektrike, me shqetësimin e shprehur për diskriminim dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
“Jemi në vitin 2016 dhe ende janë duke u konsideruar opsionet e mundshme e të qëndrueshme të financimit të RTK-së, në pritje të një vendimi final. Çështjet e vazhdueshme që kanë të bëjnë me mekanizmin e financimit dhe me Ligjin për RTK duhet të zgjidhen menjëherë,” tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, njofton përmes një komunikate zyra e OSBE-së për Kosovën.
“Pa financim të qëndrueshëm, transmetuesi publik nuk mund të zhvillohet, gjegjësisht të ofrojë shërbim të plotë për audiencën e tij. Veç kësaj, vonesat e deritanishme në procesin e digjitalizimit vetëm sa përkeqësohen nga mungesa e financimit,” shtoi ai.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizim, dhe zhvillim të sektorit të sigurisë publike. Ai ndihmon në ruajtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si dhe vepron në përkrahje të zhvillimit të mediave. /Insajderi.com