Historia e kishës së Saksonëve në Mitrovicë - Insajderi
×
Kulturë

Historia e kishës së Saksonëve në Mitrovicë

Insajderi
12 November 2020 - 12:26
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prania e një kishe katolike mesjetare sase (saksone) në Kosovë, për shumicën absolute të qytetarëve të Kosovës është diçka e paimagjinueshme. T’i thuash dikujt në Kosovë se në shekullin XIII, para më shumë se shtatëqind viteve, në Kosovë kishte gjermanë (saksonë) që ishin minatorë të zotë dhe vinin të punonin dhe të jetonin në Kosovë, veçmas në pjesët skaj minierave, është më shumë se një rrëfim që mund të tingëllojë si fantastik, por ja që është i njëmendtë dhe për këtë historianët kanë të dhëna të mjaftueshme dhe të argumentueshme.

Ata (sasët, saksonët) ishin njohës të mirëfilltë të xeheve dhe dinin si t’i nxirrnin ato, si pak popuj gjatë mesjetës së vonë. Ishin të vendosur në fshatra, qytete e kështjella që ishin fare pranë minierave. Andaj, jo rastësisht gjurmët e praninë së tyre në Kosovë mund t’i gjejmë në masë më të madhe në lokalitetetet e Mitrovicës dhe Novobërdës, në të cilat daton edhe prania e minierave që nga periudhat mesjetare.

Një kishë e tillë është bazilika e Shën Pjetrit në Stantërg të Mitrovicës, e cila njihet ndryshe edhe si kisha e sasëve/saksonëve.Ajo ka një stil gotik në arkitekturën e saj, në mënyrën se si është e ndërtuar. Një gjë e tillë mund të vërehet edhe nga pak mure, gurë e shenja që kanë mbetur, që kanë shpëtuar, dhe nuk janë bërë njësh me tokën.

Kishës së Shën Pjetrit i ka mbetur në këmbë vetëm muri ballor dhe disa gurë e themelet anash, ndërsa pjesa tjetër e bazilikës nuk i ka shpëtuar kohës. Andaj, ka nevojë të mënjëhershme për një konservim, në mënyrë që të ruhet kështu siç është, që të mos e tretë koha edhe këtë pak trashëgimi që na ka mbetur nga kisha e saksonëve në Stantërg të Mitrovicës. Nevojën për konservim do ta jepnim edhe si sugjerim e rekomandim për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), konkretisht Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, në mënyrë që së bashku me të gjithë akterët gjegjës t’i ndërmarrin hapat e duhur për konservimin e saj. Po ashtu, edhe institucionet lokale të Komunës së Mitrovicës mund ta japin kontributin e tyre në këtë drejtim.

Gjatë hulumtimit tonë, kemi parë gurë që lehtësisht mund të rrëzohen dhe për të mos ndodhur një gjë e tillë, duhet të intervenohet me shpejtësi që të ruhet së paku forma e mbetur, që të ruhet kjo kishë e vlershme kështu siç është sot. Po ashtu, është e udhës që të bëhen hulumtime të thelluara e të specializuara në bazamentet e kësaj kishe katolike për të shikuar mundësinë se mos mund të gjejmë ndonjë gjë, ndonjë dëshmi shtesë në trupin e mbetur të saj.

Një rekomandim tjetër që do t’ia jepnim MKRS-së dhe institucioneve të tjera gjegjëse është sinjalizimi i rrugës deri te kisha e saksonëve. Nuk ka shenjëzues në rrugë që e ndihmojnë një turist të mundshëm kulturor për ta gjetë atë sa më lehtë e sa më shpejtë. Zaten nga mungesa e sinjalizuesve në rrugë vuajnë shumica e monumenteve të vlershme të trashëgimisë sonë kulturore në Kosovë. Një gjë e tillë është një hendikep i madh, për shkak se tregon që në start një shpërfillje ndaj vlerave të arrirae të tejkohshme kulturore të këtij vendi.

Kisha e saksonëve në Stantërg të Mitrovicës është përmendur për herë të parë në fillim të shekullit XIV (katërmbëdhjetë), konkretisht në vitin 1303, kur Papa Benedikti XI i dërgon një letër famullisë katolike në Trepçë, andaj këtu përpos kjo kishë, përmendet për herë të parë edhe emri i Trepçës. Nga kjo e dhënë, nga kjo letër e Papa Benediktit XI, mund të themi se kjo kishë do të jetë e ndërtuar qysh në shekullin XIII. Pra, si monument e si objekt kulture, ka një jetëgjatësi gati shtatëqind vjeçare dhe një gjë e tillë përbën një vlerë të qenësishme për kulturën dhe trashëgiminë tonë.

Prania e një kishe katolike në një periudhë të mesjetës së vonë thotë shumë jo vetëm për trashëgiminë kulturore të Kosovës, por edhe për historinë e këtij, veçmas për historinë e zhvillimit të religjionit dhe religjioneve në vendin tonë. Ka të dhëna se kisha e Shën Pjetrit në Stantërg ishte funksionale deri në shekullin XVI dhe gjerë në këtë kohë kryheshin rite dhe ishte në shërbim të besimtarëve katolikë, veçmas saksonëve që punon në nxjerrjen e xehëve në minierën e Trepçës.

Shekujt XVI dhe XVII shënojnë edhe fundin e pranisë së saksonëve (sasëve) në Kosovë. Saksonia dhe saksonët për herë të parë përmenden nga historiani Ptolemeu rreth vitit 150 para erës sonë. Ata jaë një degëzim i fiseve gjermane që jetonin rreth lumit të Elbës në Gjermani. Një pjesë e madhe e tyre qëndroi në Gjermani, ndërsa një pjesë emigroi në ujëdhesën britanike (anglo-saksonët) dhe në evropën lindore e juglindore. Sipas historianëve, ishin të zotë në mjeshtëri, punë, zbulime të kohës, por edhe njerëz me shpirt luftarakë, ku dhe emri i tyre “sakson” do të thotë njerëz të shpatës, bij të shpatës, gjë që thotë shumë për sensibilitetin e tyre luftarak.

Bazilika e Shën Pjetrit apo kisha e saksonëve (sasëve) në Stantërg të Mitrovicës ka një pamje pitoreske, meqë është e rrethuar me male, gjë që i japin asaj një vlerë në aspektin turistik, meqë nëse investohet dhe shenjohet si zonë me rëndësi turistike, do të jetë një vend i këndshëm dhe ekzotik për t’u vizituar nga turistët, veçmas nga turistët që kanë interesime të shtuara për historinë dhe religjionin.

Në këtë prizëm, është e udhës që të targetohen shtetasit gjermanë,veçmas ata me shkollim të lartë dhe punonjësit e institucioneve universitare dhe kërkimore, si dhe gjermanët me prirje të larta religjioze, të cilët mund të jenë vizitorë potencialë dhe promovues të kësaj kishe mjaft të veçantë.

Kisha e saksonëve në Stantërg ka statusin e monumentit të kulturës dhe është në listën e trashëgimisë kulturore, gjë që ligjërisht është e mbrojtur që nga vitit 2011, por që është e udhës të bëhet edhe më shumë për të e rreth saj. Në bazë të madhësisë së saj, perimetrit të saj të mbetur, duket se ka qenë një kishë goxha e madhe, që do të ketë qenë shtëpi e lutjeve për shumë besimtarë katolikë, që një pjesë e tyre mund të kenë qenë edhe shqiptarë.  Andaj, edhe kujdesi ynë ndaj saj duhet të jetë më i madh dhe dinjitoz për një objekt kulti që e nderon trashëgiminë dhe të kaluarën tonë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark