×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Luftojmë për jetën

    Insajderi
    16 November 2020 - 11:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Statistikat nuk i thonë të gjitha por tregojnë mjaft

    Erza Kurti

    “Edhe sa gra duhet me na vra?”, “Edhe sa thirrje të humbura?”, “Drejtësi për…!” Këto janë disa nga parullat që u brohoritën shpesh herë në sheshet e Prishtinës, Gjakovës, Mitrovicës, Kaçanikut dhe pothuaj në të gjitha qytetet e Kosovës në kërkim të drejtësisë për gra të vrara.

    Femicidi është fenomen mjaft i përhapur në Kosovë, ku shumë gra po vriten vetëm pse janë gra. Andaj, aktivistë e qytetarë që nga paslufta protestojnë kundër dhunës dhe vrasjeve të bazuara në gjini.

    Gjatë vitit 2020, në vendin tonë është raportuar rritje prej rreth 30% e rasteve të dhunës në familje, krahasuar me vitin e kaluar. Ndonëse kjo mund të jetë pasojë e izolimit në pandeminë globale, kjo shifër paraqet edhe rritjen e raportimeve që po bëhet nga viti në vit.

    Gjashtë gra janë vrarë, historitë e të cilave nuk i dimë por emrat e tyre do të shtohen në databaza të grave të vraraPër më tepër, flitet për një shifër rreth qindra gra që u vranë që nga paslufta nga bashkëshortët e tyre. Këto shifra fatale na tregojnë se gratë ende janë duke luftuar për jetë.

    Shoqëria civile është një ndër akterët kyç që vepron në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje, duke u fokusuar kështu edhe në hulumtime të cilat analizojnë gjendjen e kësaj problematike dhe na shfaqin shifra që duhet të na hapin sytë ndaj kësaj çështjeje.

    Sipas statistikave të Rrjetit të Grave të Kosovës të publikuara në raportin e vitit 2015, “Mjaft më me arsyetime: Analizë e qëndrimeve, incidencës dhe reagimeve institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë”, thuhet që 62% e kosovarëve kishin përjetuar dhunë në familje në jetën e tyre (68% e grave dhe 56% e burrave). Në bazë të kësaj e vërejmë se më shumë se gjysma e popullsisë ka përjetuar dhunë në familje një herë në jetën e tyre, qofshin ato gra, burra apo fëmijë.

    Fajtore edhe kur dhunohen

    Në diskutimet e përditshme me shoqëri në kafe apo kudo, e dëgjojmë pyetjen se pse gratë që përjetojnë dhunë nga bashkëshorti, meqë e kanë kaq të vështirë jetën, nuk ndahen nga ai? Diskutime këto të cilat fliten me një ton që i paragjykon këto gra, gjoja se kjo është zgjedhja e tyre dhe askush nuk i ndalon.

    Fatkeqësisht, shoqëria patriarkale i arsyeton dhunuesit, ku abuzuesi nuk shihet si ai që e shkatërron familjen por gruaja kur ajo kërkon divorc. Pra nuk gjykohet autori i krimit por denoncuesja. Shumë gra nuk largohen nga ambienti abuziv pasi që mendojnë se po e shkatërrojnë familjen sapo ta raportojnë dhunën në polici.

    Mirëpo, kjo nuk është arsyeja e vetme pse ato nuk largohen. Një grua pa zotëruar ndonjë pronë dhe pa qenë e punësuar, e cila është e varur ekonomikisht pikërisht nga ushtruesi/t e dhunës, e ka shumë të vështirë të marrë vendimin të largohet për arsye shumë të thjeshtë: nuk ka ku të shkojë. Në këto rrethana, ajo i ka dy zgjidhje: ose të jetojë në një ambient abuzues dhe të rrezikojë jetën e saj ose ta raportojë dhunën dhe ta shpëtojë jetën. Mirëpo ajo nuk mund ta shpëtojë vetën pa ndihmën e shtetit. Ndërkohë shteti ynë e ka dëshmuar që nuk është i grave dhe për gratë.

    Shantazhi shoqëror

    Shumë vajza të reja në Kosovë janë rritur duke dëgjuar këtë: “një ditë do të martohesh dhe do të shkosh në shtëpi të huaj (të burrit) dhe ata do të thonë që nëna jote nuk të paska mësuar asgjë”. Këto fjali përdoren për t’i bindur vajzat se ato duhet të ishin “zonja të mira” duke qenë kryesisht amvise, duke pastruar dhe kujdesur shtëpinë, fëmijët dhe burrin. Shumë vajza të reja jetojnë nga ideja që ato të zgjidhen prej dikujt. Ato e ëndërrojnë ditën kur do të martohen, e ëndërrojnë fustanin e nusërisë, dasmën e tyre, se si ato do të duken. Ato përfytyrojnë gjithçka si në një përrallë.

    Ëndrra për t’u bërë nuse përpos që është është e imponuar pavetëdijshëm bëhet kurth për vajzat. Ato ëndërrojnë princeshën por e marrin rolin e shërbëtores. Kjo u ndahet dhe u caktohet. “Nusja” është edhe ëndërr edhe kërcënim. Sepse, cilat janë alternativat? Ose nuse ose ‘lëneshë’, grua e pamartuar, për të cilën ballafaqimi me rrethin shoqëror është i vështirë. Kjo ndodhë pasi gratë që nuk martohen në shoqërinë patriarkale shihen si jo të zonjat dhe iu dhimbsen njerëzve, duke qenë se askush nuk i zgjodhi ato. Në optikën patriarkale ato shihen si gra pa fat. Ndërkohë që të qenët e pamartuar duhet të jetë zgjedhje, bëhet këcënimi absurd i grave. Thua sikur martesa po sjellë parajsën në jetët e grave, ironikisht, në kohën kur vrasja e dhuna ndaj grave mbetet tmerruese.

    Plot prej nesh njohim vajza të reja të cilat martohen para se të mbarojnë studimet dhe heqin dorë nga arsimimi i tyre sapo të kenë gjetur “të duhurin”. Përveç studimeve dhe ndryshimit të mbiemrit, ato shkëputen nga shumica e miqve të tyre, veçanërisht nga shokët e tyre djem. Në thelb, ato heqin dorë nga gjithçka që është e tyre dhe nga jeta siç kanë njohur deri atëherë. Për një nuse, e gjithë jeta i kushtohet fëmijëve dhe familjes.

    Gruaja e sapomartuar ngadalë fillon të humbasë identitetin e saj, ata e quajnë nusja e dikujt ose duke e thirrur atë në emër të burrit (e pranishme në disa fshatra të Kosovës.)

    Dasmat tradicionale shqiptare zakonisht përfshijnë një numër të madh (rreth 500) të të ftuarve që kanë ardhur për të respektuar familjen e burrit. Po e them këtë sepse në dasmën tradicionale zakonisht familja e burrit paguan për të gjitha ceremonitë dhe procedurat e tjera. Prandaj, shumica e të ftuarve janë nga ana e tij. Familja e burrit shkojnë të kërkojnë dorën e gruas tek babai apo vëllau i saj. Nga ky moment ata janë fejuar dhe familja e djalit ka të drejtë ta trajtojë nusen e re si “të tyren” kështu që i blejnë asaj bizhuteritë prej ari, fustane, të brendshme, kozmetikë, kostum tradicional, çarçafë – gjithçka që do ta bëjë atë familje të duket e mirë dhe e pasur pasi nusja përfaqëson pamjet e saj. Më interesantja është se shumë familje nuk kanë mundësi të paguajnë për këto shpenzime, kështu që ata marrin kredi nga banka.

    Një kulturë që synon nënshtrimin

    Antropologia Berit Backer jetoi dhe vëzhgoi një nga familjet më të mëdha në Kosovë në fshatin Isniq më 1975. Ajo përshkroi në librin e saj, “Behind the Stone Walls”, se si jetonin 100 anëtarët e një familje, si ndahej puna midis burrave dhe grave dhe si jetonin në përgjithësi.

    Duke shpjeguar një fotografi të nuses që bëri në ditën e parë të martesës, Becker shkruan “Për tre ditë ajo është mbretëresha, qendra e vëmendjes. Ditën e katërt ajo ngrihet herët, ndez sobën, lan dyshemetë dhe merr ujë. Jeta e saj martesore ka filluar, shumë larg shtëpisë, nga nëna dhe motrat e saj”. Nga observimi i antropologes mund të shihet qartë se si ndryshon jeta e një gruaje kur ajo martohet në Kosovë, jo vetëm për shkak të përgjegjësive që ka, por edhe nga pritjet që njerëzit kanë për to, si p.sh. lindja e një djalit.

    Sidoqoftë, obligim i nuses nuk është vetëm të ‘prodhojë’ djem ose fëmijë në përgjithësi, por ajo duhet të kujdeset për fëmijët, të gjithë shtëpinë dhe burrin e saj, kunatin e saj, vjehrrën, kunatën (varet me kënd jeton jeton ajo). Familja e saj e origjinës duhet të jetë krenare për gruan e zonja e cila është bërë. Nëse ajo nuk është një “nuse të denjë”, familja e saj do të turpërohet prej saj.

    Shërbimi i tillë i grave të reja të sapomartuara dhe legjitimiteti i dhunës ndaj tyre shprehet edhe përmes këngëve martesore me të cilat në dasma, të ftuarit vallëzojnë me shumë kënaqësi.

    Një këngë e veçantë flet për një çift të ri, një “nuse” që ka një marrëdhënie të keqe me vjehrrën e saj dhe ajo po kritikohet nga burri i saj i ri se ai nuk do ta lejojë atë të sundojë në shtëpi dhe ajo duhet të respektojë nënën e tij. Këtu është një pjesë e këngës “mbylle gojën moj hyjneshë, sa s’e hongre flakareshë; E mirë, e keqe, nanë e kam, fjalën me ja kthye s’ban”.

    Këtu është një këngë tjetër e dasmës që ka pothuajse të njëjtin kuptim që burri thotë “kallma cigaren, paja çka t’kallxoj, me ma idhnu nanen gjuhën ta shkurtoj” gruaja përgjigjet “une nanën tonde nuk do ta idhnoj, do t’i qes kafe, çaj me limon”. Ka edhe shumë këngë të tjera që dëgjohen rregullisht në ceremonitë e dasmës që disi përfaqësojnë se si gruaja shihet në martesë dhe në familjen e burrit, pra në pozitë inferiore ndaj të gjithë anëtarëve të tjerë. Ndryshe, ajo shpesh mund të krahasohet me shërbëtore në familje. Ajo duhet të ndryshojë gjithçka të sajën dhe të jetë një grua/bashkëshorte e mirë, përndryshe do të ketë dhunë dhe ajo duhet të durojë sepse ai është burri (lexo: pronari) i saj. Me ndryshim kuptoj humbjen e identitetit të saj.

    Pra, ëndrra për t’u martuar ka disa sakrifica: lënien e shkollimit, punës dhe shoqërisë, si dhe përkushtimit të një nuse dhe një nëne të re. Paragrafët e këngëve të dasmave më lartë po na dëshmojnë që të gjitha këto tekste të këngëve po i marrim si të mirëqena sepse ne jo vetëm që i dëgjojmë dhe vallëzojmë me këto këngë, por edhe i pranojmë si realitet.

    Arsimi dhe pavarësia ekonomike si shpëtim nga dhuna

    Në një raport të publikuar nga OSBE në vitin 2019, “Anketë mbi mirëqenien dhe sigurinë e gruas në Kosovë”, shihet se “më shumë se gjysma e grave kanë përjetuar lloje të ndryshme të dhunës nga një partner i ngushtë që nga mosha 15 vjeçare, gati tre në dhjetë kanë përjetuar kanë përjetuar edhe ngacmime seksuale”.

    Me anë të këtyre statistikave po e vërejmë që ndikimi shoqëror, këngët, pritshmëritë ndaj grave dhe faktorë të tjerë kanë ndikuar që shumë vajza e gra ta pranojnë dhunën e shkaktuar. Që të parandalohet ky problem, duhet punë institucionale dhe shoqërore me konsitencë të vazhdushme.

    Në një anë, qeveria do të duhej të fokusohej që qysh nga arsimimi fillorist t’u mësohet nxënësve të të gjitha shkollave në fshatra e qytete për të drejtat e barabarta mes njerëzve pa dallim gjinie, moshe, përkatësie etnike, orientimi seksual apo seksualiteti, t’u mësohet se çka është dhuna në familje, si duhet të raportohet ajo, rëndësia e largimit nga ambienti abuziv, kultura e përdhunimit, bullizmi, ngacmimet me natyrë seksuale si dhe edukata seksuale.

    Kjo do të kishte një ndikim pozitiv në parandalimin e dhunës si dhe ngritjen e vetëdijes për të mos e duruar një gjë të tillë. Secili nxënës duhet të dijë se çka është diskriminimi gjinor dhe si duhet të luftohet ai. Ministria e Arsimit bashkë me ekspertë arsimor duhet të krijojë metoda të reja atraktive që këto mësime nxënësit t’i përvetësojnë dhe t’i shpërndajnë në familje e shoqëri.

    Në anën tjetër, puna me prindër, në bashkëpunim me organizata joqeveritare, është jashtëzakonisht komponentë e rëndësishme. Në këtë mënyrë, duke krijuar sesione mësimi me prindër se cilat janë pasojat e ndarjeve gjinore mes fëmijëve, përdorimi i dhunës, mospranimi i fëmijëve LGBTQI+, informimi i prindërve me termat dhe çështjet që mësojnë fëmijët duhet të jetë paralel, në mënyrë që të jetë i mundshëm edhe diskutimi prindër-fëmijë në shtëpi, duke krijuar kështu edhe një relacion më të mirë mes tyre.

    Ministria e Ekonomisë, bashkë me ekspertë tjerë gjinorë, duhet të angazhohet që të krijojë politika dhe mundësi punësimi dhe pavarësimi ekonomik për vajzat dhe gratë. Megjithatë duhet angazhim i gjitha fushave shtetërore në mënyrë që të ulet diskriminim gjinor në shoqëri, familje e punë, si dhe dhuna me bazë gjinore.

    Të harruara në luftën e tyre

    Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe vajzave e grave të komuniteteve pakicë: rome, ashkali dhe egjiptase. Në jetën tonë të përditshme shpesh kemi hasur raste ku vajzat e reja (mirëpo edhe djemtë) e këtyre komuniteteve e kanë lënë anash arsimimin dhe janë martuar herët. Janë bërë dhe nëna me infomacione të pakta mbi prindërimin. Institucionet duhet të punojnë bashkë me shoqërinë civile në mënyrë që të ngrisin vetëdijen tek këto vajza për rëndësinë e arsimimit dhe pavarësimit ekonomik. Vetëm atëherë një grua do të jetë e zonja për të kundërshtuar çdo person dhe ambient abuziv.

    Kur burrat vrasin dënohen më pak

    Mjaft raste janë përfolur ku janë parë dënime të ulta për vrasësit burra dhe në anën tjetër dënimet e larta për vraseset gra. Një gjë të tillë mund ta krahasojmë me dy rastet e fundit që morën vëmendjen e shoqërisë dhe mediave.

    Rasti i Pjetër Nrecaj të cilit nga burgimi i përjetshëm iu ul dënimi vetëm me 24 vite e 6 muaj burgim për vrasjen e bashkëshortes Valbonës dhe vajzës së tij Klara, vendim ky i marrë nga Gjykata Themelore e Gjakovës, e ka dëshmuar se sa (nuk) funksionon drejtësia për gratë e vrara.  Megjithatë, sipas Kodit Penal, për rastin e tillë është dashur të shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm, sipas nenit 41.

    Ndërsa Suzana Zogiani Sekiraqa u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila pas një dhune sistematike kishte vrarë bashkëshortin në vetëmbrojtje. Në Kodin Penal, neni 12, paragrafi i parë, thuhet që vepra e kryer në mbrojtje të nevojshme nuk është vepër penale.  Rasti i Suzanës tashmë është në Gjykatën Supreme dhe pritet nëse do të rikthehet në gjykim.

    Sipas këtyre dy rasteve e shohim që drejtësia është selektive. Kur gratë kryejnë vepra penale gjykohen më ashpër se sa kur burrat kryejnë vepra penale edhe më të rënda.

    Vendime të tilla vetëm i japin zemër abuzuesve dhe në anën tjetër i frikësojnë gratë që po përjetojnë dhunë. Kjo është dhunë institucionale dhe dekurajim për ta raportuar atë.

    Dhuna dhe vrasjet ndaj grave i kanë rrënjët e thella dhe nuk do të zhduken nëse shteti dhe shoqëria nuk lufton diskriminim dhe pabarazinë me të gjitha mjetet. Që këto krime të zbehen, së pari duhet parandalim. E kjo ndodhë përmes luftës së përbashkët të të gjitha grupeve sociale, institucioneve dhe mekanizmave të përmendur më lart. Vetëm një zinxhir i fortë mes familjes, shoqërisë dhe institucioneve shtetërore mund të triumfojë kundrejt këtij problemi që na ka kapluar tmerrësisht keq tash e sa e dekada.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark