
Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë me dije se Policia e Kosovës, ka arrestuar sonte në qendër të Prishtinës edhe një aktivist tjetër, Kushtrim Avdimetaj.
Vetëvendosje këtë e konfirmoi përmes një komunikate për medie ku thuhet se këto veprime kanë “kanë për qëllim dobësimin e kundërshtimit tonë ndaj marrëveshjeve të dëmshme për Republikën e Kosovës”.
“Ky aksion i Policisë është në vazhdën e përndjekjeve ndaj aktivistëve të Lëvizjes. Arrestimet e tilla kanë për qëllim dobësimin e kundërshtimit tonë ndaj marrëveshjeve të dëmshme për Republikën e Kosovës dhe ndaj qeverisë antikushtetuese”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga VV.
Sipas kësaj komunikate, shteti diktatorial i treshes Thaçi-Veseli-Mustafa po vazhdon të shtypë opozitën, sidomos Lëvizjen Vetëvendosje.
“Shkeljet e lirive dhe të drejtave politike të qytetarëve janë një krim që nuk kemi për t’ia falur kurrë këtij pushteti kriminal. Do të vijë dita e demokracisë në Kosovë, dhe ata do të përballen me drejtësinë. Do të japin llogari për krimet e tyre”, shkruhet më tej në komunikatën e VV-së. /Insajderi.com