
Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të miratojë rekomandimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Në seancën që e mbajti pa opozitën, Kuvendi nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të miratuar këtë pikë, pavarësisht se ishte konsideruar si një prej kritereve tjera në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
Kjo ishte hera e parë që opozita nuk bëri fare përpjekje që të futet në seancë.
Për më gjatë se shtatë muaj, opozita ka përdorur gazin lotsjellës e veprime tjera në përpjekje që të pengojë mbajtjen e seancave plenare, duke synuar që të çoj vendin në zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa u ka bërë thirrje partive opozitare që të kthehet në Kuvend dhe përmes dialogut t’i tejkalojnë të gjitha mospajtimet.
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Mustafa përmes një konference për media ka thënë se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të heq dorë nga diskursi i dhunës si dhe sulmeve ndaj objekteve qeveritare dhe policisë.
Përkundër insistimit të opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, Mustafa është shprehur i bindur se mandati i qeverisë do të shkojë deri në fund.
Partitë opozitare të hënën kanë paralajmëruar që sot nuk do të marrin pjesë në seancë, ndërkohë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur t’i bojkotojë seancat në krejt këtë mandat, njësoj siç ka vendosur edhe Nisma për Kosovën.
Kurse, subjekti më i madh opozitar Lëvizja Vetëvendosje që në Kuvendin e Kosovës ka 16 ulëse, thotë se sa i takon pjesëmarrjes në seancat plenare do të “bëjmë vlerësim nga seanca në seancë”./rel