T’i blesh babait, dhimbjen për të birin - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    T’i blesh babait, dhimbjen për të birin

    Insajderi
    17 December 2020 - 11:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Andi Bushati

    Në një mjedis ku deputetët opozitarë shiten me para, ku mediat korruptohen për një tender, ku gazetarët dypunësohen në borde publike, ku aftësia në shtrat të bën ministër, Edi Rama ka menduar se është e mundshme të blejë edhe një prind, që sapo i kanë vrarë të birin.

    Vendimi i qeverisë, që i lidhte pension të përjetshëm Qazim Rashës, për vrasjen “aksidentale” të Klodianit, është një njollë turpi, e ngjashme vetëm me ato pagesat live të familjarëve që kishin humbur jetën në Gërdec. 

    Skandali i tij nuk ka të bëjë thjesht me përcaktimin e shkakut të vrasjes në dokumentin e prodhuar nga qeveria (në linkun poshtë i futur në katror), i cili ngjalli aq shumë mëri tek qytetarët dhe zemërim tek familja e viktimës.

    Krimi i tij ka të bëjë me tentativën për të korruptuar edhe dhimbjen. Sepse VKM e nënshkruar nga vetë Edi Rama, është një akt frikacak propagande që mëton të qetësojë revoltën që u ndez kundër tij

    Le ta shohim me qetësi se përse vendimi i qeverisë nuk ka të bëjë, as me ndonjë pendim, as me ndonjë ndjesë ndaj kujtimit të viktimës.

    Argumentat i ka dhënë vetë kryeministri gjatë një konference shtypi këtë të martë. I vënë nën presion nga pyetjet e gazetarëve se përse e kishte paragjykuar vrasjen si “aksident”, pa folur më parë drejtësia, Rama u ngatërrua me këmbët e veta. Pra, duke u përpjekur të shpëtonte, ai u zhyt edhe më në kurth.

    Ai nxitoi të argumentonte se përcaktimi i llojit të vdekjes si “aksidental” nuk është mbivendosje mbi punën e prokurorisë dhe gjykatave. Ai shkoi më tej duke përmendur se ajo nuk ishte një vdekje me rikoshetë, pasi në këtë rast, familja e viktimës nuk do të kishte marë shpërblim. 

    Pra, ai e vuri veten pikërisht në rolin e atij që qëndron mbi drejtësinë.

    Në këtë rast, një profesionist do të pyetse:  Ku e di Edi Rama se vrasja nuk ka ndodhur si pasojë e një plumbi rikoshetë, pa pasur ende një akuzë përfundimtare nga prokuroria dhe mbi të gjitha pa vendosur gjykata? Hipoteza mund të bëhet edhe më ekstreme: kush ia vulosi atij se viktima nuk e ka kërcënuar policin me armë, ashtu sikurse thanë në fillim drejtuesit e uniformave blu dhe mediat e regjimit? 

    Por përpos këtyre rasteve, kur shpërblimi i dhënë do të qe i pajustifikueshëm, mund të kapërcehet krejtësisht në kahun tjetër të hipotezave: nga e ka ai sigurinë se polici Nevaldo Hajdëraj nuk njihej me viktimën dhe nuk ka qëlluar mbi të për hakmarrje? Kush i tha atij se vrasja nuk qe me dashje?

    Pra shkurt, pse merr vendim kryeministri për një ngjarje për të cilën nuk ka as njohuri, as kompetenca dhe për të cilën duhet ta japi verdiktin një pushtet tjetër?

    Natyrisht, ne të gjithë mendojmë se i dimë faktet dhe rrethanat e këtij krimi makabër. Si qytetar edhe Edi Rama mund të ketë të njëjtën ndjesi. Po si kryeministër atij nuk i lejohet të ndërmarrë vendime, pa i pasur ato të provuara dhe të çertifikuara.

    Në kushte normale, asnjë shef ekzekutivi, që ka respekt për shtetin ligjor, nuk mund të nënshkruante një VKM për shpërblimin e familjes së viktimës, pa një vendim të formës së prerë nga gjykata për përcaktimin e kësaj vrasjeje. 

    Por, për Edi Ramën propaganda ka rëndësi para ligjit, prandaj ai ka firmosur një vendim qesharak, ku për familjen e Klodianit, pagesa fillon nga 1 dhjetori, pra duke përfshirë edhe ditët që ai ishte ende gjallë.  

    Image

    Kjo nëpërkëmbje ndaj shtetit ligjor dhe të vërtetave, përcaktimi i të cilave nuk varet prej tij, është prova më e qartë se vendimi i fundit i qeverisë nuk ka të bëjë fare me një akt ndjese ndaj kujtimit të viktimës dhe familjes së tij. 

    Ky pushtet është treguar dyfish abuziv: edhe kur e vrau Klodian Rashën, por edhe kur kërkoi të blejë me para dhimbjen që ai la pas. 

    Prandaj, nëse për krimin e parë qeveria mëton të mbrohet pas justifikimt të “aksidentit”, për të dytin, ajo nuk ka se ç’të thotë, sepse korruptimi i njerëzve është në ADN e saj. Por ama këtë herë u kalua çdo limit, pasi u tentua të blihej kujtimi i dikujt që fatkeqësisht nuk i përket më botës sonë.  


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark