
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të martën në takim ambasadoren e Republikës së Estonisë, Eve-Kulli Kala, të cilës i kërkoi përkrahje nga ana e shtetit estonez në proceset eurointegruese.
Ai, pasi e falënderoi për mbështetjen që Estonia ka dhënë për Kosovën, e njoftoi për të arriturat në shumë fusha të jetës dhe proceset aktuale në Kosovë.
“Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, duke kërkuar përkrahjen e Estonisë në proceset eurointegruese”, thuhet në njoftimin për shtyp të Qeverisë së Kosovës.
Estonia është pjesë e Bashkimit Evropian prej vitit 2004. /Insajderi.com