
Presidentja Atifete Jahjaga, ka shprehur nëpërmjet Facebook0ut zhgënjimin e saj me Kuvendin e Kosovës, që dështoi të emëroj anëtarët e rinj të Organit Shqyrtues të Prokurimit njëri nga kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Ky dështim, në ditët kur në Kosovë pritet ekipi i Bashkimit Evropian për të vlerësuar përparimin e Kosovës në plotësimin e kritereve që jemi zotuar t’i përmbushim, rrezikon të vazhdojë t’i mbajë qytetarët e Kosovës të izoluar për shkak të interesave të ngushta të atyre që prioritet kryesor duhet ta kenë mirëqenien e qytetarëve”, ka shkruar Jahjaga.
Sipas saj, OSHP-ja është institucion i rëndësishëm dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në këtë institucion si dhe ndikimi politik mbi të ka kohë që është bërë pengesë për zhvillimet pozitive në Kosovë.
“U bëj thirrje institucioneve të Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit dhe të gjitha subjekteve politike që të marrin përgjegjësinë dhe të gjejnë zgjidhje në mënyrë që ky kriter të plotësohet pa vonesë”, ka shkruar Jahjaga.