
Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka vendosur në lidhje me zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni, shkruan Insajderi.
Burime të Gazetës Insajderi, kanë treguar se në krye të institucionit më të lartë kulturor në vend, është zgjedhur regjisori e dramaturgu Naser Shatrolli, i cili aktualisht është u.d i detyrës së drejtorit në po këtë institucion.
Në garë për këtë pozitë ishin edhe aktorët Kushtrim Sheremeti e Blerim Krasniqi.
Anëtar të KD-së së TKK-së janë: Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Agron Shala, Ismet Azemi, Samka Ferri dhe Feim Maliqi.
Kujtojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka shpallur konkurs edhe për pozitën e drejtorit artistik të këtij institucioni, por ende nuk dihet se kush ka marr këtë pozitë.
Në garë për këtë pozitë janë tre kandidatë: Albana Muja, Ekrem Sopi dhe Sokol Plakolli.
Mirëpo, dje Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anulimin e konkursit për Drejtor Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Sipas SHATK –ut, pozita Drejtor Artistik është hapur në kundërshtim me ligjin për Teatrin.
Përmes një njoftimi për media, SHATK bënë të ditur se në kuadër të mandatit të shoqatës, është realizuar një vlerësim i dokumenteve bazike të konkursit zyrtar të hapur nga MKRS.
Po sipas SHATK-u, konkursi në fjalë është hapur për një pozitën e punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Gjatë këtij vlerësimi është vënë re që njëri prej dy konkurseve, është në kundërshtim me ligjin për Teatër. Në konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet titulli i punës ‘Drejtor Artistik’. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të Përgjithshëm. Njëherësh ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe Udhëheqësin Artistik”, thuhet në njoftimin e SHATK-ut.
Andaj shoqata e artistëve të teatrit, sugjeron anulimin e konkursit dhe pa humbur kohë hapjen e konkursi për Udhëheqësin Artistik të TKK-së./ Insajderi.org