
Në mënyrë që të ketë një raport më të mirë nga Komisioni Evropin vitin që po vjen, Kosova duhet të rrisë buxhetin për disa politika dhe institucione publike, siç janë Departamenti për Menaxhimin e Reformës në Administratë Publike, Instituti i Kosovës për Administratë Publike, Agjencia për Efiçiencë të Energjisë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e të tjera.
Kështu ka rekomanduar Instituti GAP që sot ka mbajtur një debat me temën “A garanton Buxheti 2016 një raport më të mirë të Komisionit Evropian për Kosovën?”.
Në tryezë morën pjesë edhe përfaqësues të qeverisë, si Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimeve Evropiane, Salvador Elmazi nga Ministria e Financave dhe Teuta Sahatqija, kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane.
Në emër të Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë në këtë debat foli z.Thomas Gnocchi, i cili arsyetoi metodologjinë e re të Komisionit Evropian për raportet për vendet kandidate për anëtarësim.
Sipas metodologjisë së re, Gnocchi tha se Komisioni Evropian nuk mat vetëm progresin nga vitet e kaluara, por jep një pasqyrë më gjithëpërfshirëse për gjendjen aktuale në vend. Raportet për vitin 2016, të cilat vetëm se kanë filluar të hartohen, do të përmbajnë edhe fusha të reja të raportimit.
Ai vuri në pah se jo të gjitha sfidat e paraqitura në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën kërkojnë edhe buxhet./Insajderi.com