
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është takuar sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.
Në një komunikate nga Zyra e Kryeministrorit, thuhet se në këtë takim, Mustafa njoftoi për progresin e gjithanshëm në Kosovë, duke përfshirë këtu përmbushjen nga ana e Kosovës të rekomandimeve dhe kritereve për liberalizimin e vizave, duke shprehur besimin se BE së shpejti do të marr vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kryeministri Mustafa dhe Mogherini vlerësuan progresin e vitit të kaluar në marrëdhëniet në mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, duke pas parasysh që Marrëveshja për Stabilizim Asociiim do të hyj në fuqi nga 1 prilli”, thuhet në komunikatë.
Mogherini theksoi rëndësinë e kësaj marrëdhënie të parë kontraktuale në mes të BE-së dhe Kosovës, dhe ripërsëriti përkushtimin e saj për të punuar me kryeministrin Mustafa dhe autoritetet në Kosovë për të promovuar progresin e mëtutjeshëm në agjendën BE-Kosovë, njofton Qeveria e Kosovës.
“Ajo konfirmoi gatishmërinë e BE-së për të ecur përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, pas përmbushjes së kushteve”./Insajderi.com