
Kryeministri kosovar mori pjesë sot në punimet e Samitit të krerëve të shteteve dhe të qeverive të shteteve të BE-së dhe atyre jo anëtare të BE-së, pjesëtare të Partive Popullore Evropiane (EPP), që po zhvillohet në Bruksel.
Mustafa i informoi të pranishmit lidhur me progresin e gjithanshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës si dhe zhvillimet aktuale politike.
Mustafa kërkoi mbështetjen e liderëve politikë dhe institucionalë anëtarë të EPP-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke i njoftuar për përmbushjen nga ana e Kosovës të të gjitha rekomandimeve dhe kritereve të kërkuara.
Ai theksoi se duke u bazuar në punën e bërë në këtë drejtim, institucionet dhe qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vlerësim dhe vendim pozitiv të mekanizmave të BE-së për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për rrugën evropiane, duke theksuar edhe orientimin e Kosovës për zgjidhjen e të gjitha çështjeve me fqinjët përmes dialogut.
Gjithashtu ai i ka njoftuar edhe për masat konkrete që ka marrë Qeveria e Kosovës për ndaljen e fluksit të refugjatëve nga Kosova gjatë fillimvitit të kaluar në drejtim të vendeve të BE-së dhe rezultatet inkurajuese në riitntegrimin e të kthyerve në Kosovë.
Krahas kryeministrit Mustafa, në punimet e samitit kanë marrë pjesë edhe liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri Viktor Orban, dhe krerë të tjerë të partive të djathta evropiane.