
Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur masën prej një muaji paraburgim për Fatos Rizvanollin, që dje është arrestuar si i dyshuar për financimin e rekrutëve kosovarë të ISIS-it.
Masa e paraburgimit ndaj F.R është caktuar për veprat penale rekrutim në terrorizëm, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik dhe shtytja për kryerjen e veprave penale terroriste.
“Për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rekrutim në terrorizëm nga neni 139 të KPRK-së, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 par.2 të KPRK-së, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 të KPRK-së dhe shtytja për kryerjen e veprave penale terroriste nga neni 141 të KPRK-së, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një(1) muaji, ndaj të pandehurit, nga data e arrestimit 16.03.2016 e deri më datën 15.04.2016 në ora 08:00”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
Gjykata ka njoftuar palët se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.