
Gjatë ditës ai do të takojë disa krerë institucionalë, përderisa në orën 11:00 do të pranojë çmimin e Ministrisë së Kulturës, “Letërsia shqipe”.
Shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, të enjten do të qëndrojë në Prishtinë. Gjatë ditës ai do të takojë disa krerë institucionalë, përderisa në orën 11:00 do të pranojë çmimin e Ministrisë së Kulturës, “Letërsia shqipe”.
Këtë e ka konfirmuar për gazetën shefi i kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, Ndue Ukaj, shkruan sot “Koha Ditore”. “Shkrimtari Kadare do të jetë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimit”, ka thënë Ukaj për solemnitetin që do të mbahet në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
Kadare është laureati i parë i çmimit “Letërsia shqipe” që sivjet është themeluar nga MKRS-ja. Sipas Ministrisë së Kulturës, ky çmim i veçantë jepet për personalitete, të cilat, me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, në ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare.