Një masë edukative është epilogu i djegies së furrave të shqiptarëve në Vojvodinë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Një masë edukative është epilogu i djegies së furrave të shqiptarëve në Vojvodinë

    Insajderi
    19 March 2016 - 08:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qendra për Hulumtime dhe Analiza në Vojvodinë (VOICE) ka zbuluar se në rastet e djegies dhe thyerjes së furrave në Vojvodinë, pas ndeshjes futbollistike midis Serbisë dhe Shqipërisë para një viti e gjysmë, në prokuroritë kompetente në Vojvodinë ishin dorëzuar pesë lëndë, rezultati përfundimtar i të cilave ishte shqiptimi i vetëm një mase edukative. Fletëparaqitja penale është hedhur poshtë, raporton Insajderi.

    Në dy raste, shkaktarët ende nuk janë zbuluar.

    Mediat kishin raportuar për gjuajtjet me gurë, me koktej molotovi dhe të shtënash me armë në objektet pronarë të të cilave ishin shqiptarë, ndërkaq incidentet atëherë i kishin dënuar politikanët dhe kompetentët në të gjitha nivelet e pushtetit.

    Sombori, Stara Pazova, Subotica, Vërshaci, Novi Sadi, Beçeji … janë disa prej vendeve ku janë kryer këto sulme vandale.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stojanoviqi kishte deklaruar para gazetarëve se policia i kishte zgjidhur thuajse të gjitha veprat penale të sulmeve në furra dhe se me atë rast kishte mbajtur 11 të dyshuar në paraburgim.

    “62 persona janë marrë në pyetje gjatë dy-tri ditëve të kaluara lidhur me rastin e këtyre incidenteve që kishin ngjarë para së gjithash në territorin e Vojvodinës, ndërkaq 11 prej tyre janë mbajtur në arrest”, kishte deklaruar Ministri i policisë para një viti e gjysmë duke shtuar se shteti në këtë mënyrë dërgoi mesazhin se askush nuk duhet shkaktuar vepra penale dhe që shteti do të reagoj ndaj provokimeve.

    “Ndëshkimi”

    Ndërkaq, hulumtimi i VOICE, vërteton se në rastet e sulmeve kundër furrave të shqiptarëve në Vojvodonë deri më tani është shqiptuar vetëm një masë edukative, ndërkohë që shkaktarët nuk janë kapur ende.

    Hulumtimi ka treguar se janë formuar gjithsej pesë lëndë. Përveç shqiptimit të masës edukative, në njërin rast fletëparaqitja penale është hedhur, në një rast ende është duke u zvarritur procedura përgatitore, ndërsa në rastet e tjera, shkaktarët ende nuk janë konstatuar.

    Në furrën “Dy Vëllezërit” në Sombor më 16 tetor 2014 është hedhur koktej molotovi. Njëherit, ky ishte incidenti i parë për të cilin mediat kishin raportuar me ditë të tëra. Pronari i furrës Albert Kerhani deklaroi për VOICE se as pas një viti e gjysmë, nuk ka kurrfarë informate zyrtare, lidhur me hetimin e rastit dhe se nuk ka marrë ende asnjë ftesë nga gjykata.

    “Se a është arrestuar, paraburgosur apo se a është ndërmarrë diçka tjetër për këtë, nuk kam asnjë dëshmi. Nuk e di as për inicimin e ndonjë hetimi. Nuk kam njohuri nëse dikush është marrë në pyetje”, sqaroi Kerhani duke shtuar se në furrën e tij, pasi që në të ishte hedhur koktej molotovi, kishin ardhur inspektor nga Beogradi dhe Sombori.

    “Në ndërkohë unë kam ushtruar padi kundër Republikës së Serbisë, meqë nuk ka dashur ta marrë përgjegjësinë, meqë sipas ligjit, avokatja jonë ka thënë se shteti e ka obligim të ofroj siguri për popullin në këto raste, theksoi pronari i furrës në Sombor.

    furra evropa

    Demolimi i furrës “Europa” në Novi Sad, tetor 2014

    Pyetjen rreth sulmeve në furrat e bukës VOICE ia kishte përcjellë prokurorive themelore dhe të larta në Vojvodinë. Në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Sombor thuhet se institucionit në fjalë nuk iu është paraqitur fare një rast i tillë.

    Në përgjigjen e Prokurorisë së Lartë në Sombor, në ndërkohë, thuhet se janë formuar dy lëndë. Në njërën prej tyre bëhet fjalë për furrën e cila gjendet në Apatin, në vitrinën e të cilit ishte hedhur një tullë, pas përfundimit të ndeshjes futbollistike.

    “Procedura është përmbyllur me hedhjen e fletëparaqitjes penale ndaj personit për të cilin kishte pasur dyshime të bazuara se kishte kryer këtë vepër penale nga neni 317. të Kodit penal”, sqarohet në përgjigjen e Gjykatës së lartë në Sombor.

    Në përgjigjen e Gjykatës së Lartë në Sombor sqarohet rasti i dytë, që udhëhiqet para këtij institucioni, ka të bëjë me furrën “Dy vëllezërit” në rrugën Car Llazari dhe me fletëparaqitjen e penale kundër personave të panjohur, nga po i njëjti nen i Kodit në fjalë.

    “Nga ana e kësaj prokurorie, Drejtorisë policore në Sombor i është dorëzuar kërkesa për grumbullimin e njoftimeve të nevojshme me qëllim të identifikimit të ekzekutuesve të veprës penale në fjalë. Me rastin e kësaj kërkese, Gjykata e Lartë në Sombor ende nuk ka marrë ndonjë raport, mirëpo rregullisht njoftohemi nga policia nëse ata kanë ndërmarrë masa operative në këtë drejtim me qëllim të identifikimit të ekzekutuesve të veprës penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorinë e lartë në Sombor.

    Pronari i furrës “Dy vëllezërit” Albert Kerhani sqaroi për VOICE se sipas ekspertizës së bërë nga ekspertët e angazhuar nga gjykata, dëmi i shkaktuar arrin shumën në tetë milion dinarë dhe se qeveria krahinore ka zhdëmtuar gjysmën e kësaj shume.

    “Unë nuk kërkoj ndonjë drejtësi të madhe, por vetëm kërkoj që Serbia të më ndihmoj rreth zhdëmtimit të pjesës tjetër të dëmit, pa kërkuar zhdëmtimin moral dhe emocional, meqenëse kjo nuk mund të paguhet me asgjë”, shtoi Kerhani.

    Të njëjtën natë kur ishte hedhur koktej Molotovi në furrën e Kerhanit, ndodhën edhe dy incidente.

    Sipas raporteve të mediave, persona të panjohur nga një automobil në lëvizje kanë shtënë nga armët e zjarrit në vitrinën e furrës “Milenium” në rrugën e Sveti Sava në Stara Pazovë, ndërkaq pas të shtënave është hudhur edhe një bombë dore në të njëjtin lokal të pronarit Albon Balaj. Po atë natë është gjuajtur me gurë edhe furra “Vojvogjanka” në Novi Sad, ndërkaq në ditët në vijim janë sulmuar edhe tri furra.

    Në Prokurorinë themelore në Stara Pazovë kanë thënë për VOICE se nuk kanë pranuar asnjë fletëparaqitje penale për shkak të këtyre incidenteve në atë vend, ndërkaq në Prokurorinë e lartë në Mitrovicën e Sremit, kompetente edhe për komunën e Stara Pazovës, gjithashtu theksuan se nuk ka lëndë të formuara/inicuara.

    Nga Gjykata Themelore në Novi Sad prej VOICE ishte kërkuar ta precizonte kërkesën për informacione të rëndësisë publike duke shënuar emrin dhe mbiemrin e personave kundër të cilëve janë ushtruar fletëparaqitje penale, vepra penale me të cilën ata ngarkohen, si dhe të dhënat mbi personin e dëmtuar, edhe pse ato të dhëna janë tërësisht të panjohura për publikun.

    Kërkesën e tillë, prokuroria e arsyetonte “me mënyrën e formimit të lëndës” në atë institucion, gjegjësisht mosekzistencën “e parametrave të kërkimit sipas kriterit të përcaktuar”.

    “Gragjanska Vojvodina” në tetor të 2014 kishte organizuar tubim solidariteti “Kundër urrejtjes – stop fashizmit”.

    Në ndërkohë, VOICE, kishte kërkuar nga Prokuroria e lartë në Novi Sad të dhënat edhe nga prokuroritë e zonave, ndërsa në përgjigje e këtij institucioni thuhej se janë duke proceduar tri lëndë.

    Në njërin prej tyre procedura është përfunduar me aprovimin e aktvendimit nga ana e Gjykatës së lartë në Novi Sad, me ç’rast një të mituri i është shqiptuar masa edukative masa e forcuar e kontrollit nga ana e prindërve. Lënda e dytë është në procedurën përgatitore gjithashtu kundër një personi të mitur, ndërkaq në lëndën e tretë, kryerësit e veprës penale ende nuk janë identifikuar. Pronari i furrës “Dy vëllezërit” në Sombor, Albert Kerhan tha se nuk është një njeri që i kërkon fajtorët, por njeri që kërkon zgjidhje.

    “Se a do të ketë persona të tillë – sigurisht se do të ketë. Dhe jo vetëm se te ne, por kudo nëpër botë. Nuk mund që për shkak të individëve ta akuzoj gjithë Serbinë, Vojvodinën, Baçkën, Somborin. Kam marrë një mbështetje të madhe të fqinjëve, klientëve, miqve. Njerëzit kanë pritur në radhë edhe përkundër se ishte mot i acartë, meqë nuk kishte vend për t’u futur brenda dhe të bliheshin produktet e tona në furrën tonë. Dhe gjithnjë më kanë trimëruar. Unë nuk mund ta gjykoj tërë një popull për shkak të një kokërr exhre në grurë, meqë të tillë do të ketë gjithmonë”

    furra-633x340

    Sulmet në katër furra

    Edhe pse në disa prej atyre vendeve janë shënuar incidente, në përgjigjet e marra nga prokuroritë e larta në Pançevë, Sombor dhe Zrenjanin thuhet se nuk ka pasur fletëparaqitje penale për shkak të djegies së furrave, ndërkaq përgjigje të njëjtë VOICE kishte marrë edhe nga prokuroritë themelore në Vërbas, Pançevë, Mitrocisë e Sremit, Rumë, Baçka Pallankë dhe Vërshac, me ç’rast atëbotë, sipas raportimeve të mediave ishin gjuajtur me gurë katër furra, prona të shqiptarëve.

    Albert Kerhani theksoi se hedhja e koktej Molotovit në furrën e tij “Dy vëllezërit” në Sombor ishte incidenti i katërt nga viti 2002. Ai tha se moralisht është i përgatitur për faktin se këto incidente nuk janë të fundit.

    “Ajo që nuk iu vret, ju forcon”, shtoi ai.

    Kerhani tha se do të ishte mirënjohës nëse dikush do t’i tregonte për shkaktarët e sulmeve në furrën e tij.

    “Sepse kam bërë vendime të mëdha të rëndësisë jetike, të cilat do të më shpienin në vende të të tjera më të mira, tregje më të volitshme për punë dhe afarizëm. Ndoshta atëherë kam pasur një dashuri e zemër të madhe për të vazhduar këtu me zgjerimin e biznesit tim, ndërsa sot më nuk e kam një dëshirë të tillë për Somborin”, sqaroi Kerhani.

    Në pyetjen se me këtë e nënkuptohet se ai do ta lëshoj Somborin, pronari i furrës në Sombor përgjigjet tërthorazi. “Nuk po e lëshoj Somborin, por do të mendoj në këtë drejtim. Emocionalisht shumë lehtë mund të largohem nga Sombori. Edhe më tej do të punoj më të mirën që di dhe do të jap gjithçka nga vetja në punë, atë që di ta bëjë më së miri, meqë ndryshe as nuk di të punoj. Mirëpo se a do të ndërmarrë diçka për zgjerimin e biznesit tim në Sombor – për këtë nuk jam duke menduar”, tha Albert Kerhani.

    Ai në fund na tha se muri nuk shembet duke i rënë me kokë. “Dhe nëse nuk keni mjete/vegla nuk ju mbetet tjetër porse të largoheni nga muri dhe të kërkoni zgjidhje tjetër”, tha Albert Kerhan./Insajderi.com

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark