
Për jetën përtej aktrimit si profesion, për vështirësitë, rrugëtimin sakrificat që ka bërë vetëm e vetëm që të bëhet ajo që ka dashur të bëhet, Shengyl Ismaili flet gjerësisht në një Intervistë për Insajderin
Besarta Kalaja
Na tregoni pak për rrugëtimin tuaj si aktore, sfidat, vështirësitë e të mirat e aktrimit?
Për me mbërri këtu ku jam sot natyrisht që është nevojitur mund shumë i madh. Pasi jetojmë në një vend shumë të varfër ku arti nuk vlerësohet hiq, këtu ti duhesh me luftu për vetën tënde, se askush nuk lufton për ty.
Kam fillu me u njoft ma shumë si aktore 8-9 vitet e fundit, e unë jam veç 42 vjeçare e këtë zanat e punoj qe 20 vjet. Unë nuk jam prej atyre personave që kam pas përkrahje, nuk është që kam funksionu vet e dyta, kam funksionuar gjithmonë vet. Nuk kam pas shtytje prej askujt që me më thënë po të gjej një vend të punës edhe të shohin njerëzit qe ti i’a vlen. Megjithatë unë ndihem jashtëzakonisht krenare me vetën që deri këtu kam mbrri me forcat e mija.
Çfarë ju motivon më së shumti, që ta ndiqni karrierën tuaj me kaq pasion?
Dashnia shumë e madhe për artin. Unë kam dashni të madhe për teatrin për filmin e mandej vijnë tjerat..
A jeni ndjerë ndonjëherë e pa motivuar e gati për ta lënë rrugëtimin tuaj si aktore?
Po, kur e kam lind Lumin djalin e madh, kam qenë shumë e re, njëzet e dy vjeçare disa vite që veç e kisha përfundu fakultetin edhe mbas lindjes së djalit totalisht më harruan. Unë edhe ashtu punojsha shumë pak ndonjë film të studenteve, domethënë u harrova hala pa fillu. Kur e ke një fillim të mirë atëherë është pak problem me u harru, po unë startin e kisha shumë të lodhur shumë të dobët, shumë thjesht nuk mu jepte mundësia me dëshmu veten që unë ja vlej.
Unë thjesht kisha nevojë për me pas një rol edhe dy rreshta vetëm me tregu që unë ia vlej. Kjo ka qenë periudha ku unë jam ndjeh jashtëzakonisht e dëshpërume me vetën, me çdo gjë që më rrethojke po asnjëherë nuk kam hekë dorë.
Më janë ofruar punë tjera me orar të plotë, punë që ska të bëj me art me rrogë shumë të mirë që unë mundesha me flejë shumë rahat edhe me i ushqye fëmijët e mi shumë mirë, po unë e kam refuzu.
Tash kur po flas po emocionohem shumë, se kam pas ditë të vështira financiare po thjesht kam vendos me ndjek ëndrrën time, se e kam ditur që një ditë njerëzit kanë me kuptu kush është Shengyli edhe sa ja vlen.
Ju jeni nënë beqare, si ia keni dalur deri tash mes familjes dhe karrierës?
Pak ma vështirë, sepse tash je edhe më vet se kurrë. Por unë kam një vullnet brenda vetës, jam një prej atyre personave që nuk dorëzohem shumë lehtë, rrëzohem shumë lehtë por shumë shpejt ngritëm në këmbë më e fort se sa që kam qenë. Është e vërtet që fëmijët sidomos këto vitet e fundit më shohin më pak po që ata janë pajtu me faktin se nëna e tyre punon.
Unë punoj shumë sepse nuk mundem me nejt pa punë, unë kisha me qenë një nënë e palumtur edhe kur unë s’jam e lumtur as fëmijët e mi nuk janë të lumtur.
Çfarë mendoni për mbështetjen institucionale ndaj kulturës, artit në përgjithësi, a është e mjaftueshme?
Mendoj që nëpërmjet artit bota po na njeh se kush jemi, e jo përmes politikës sonë që çdo dite është ma e keqe. Mbështetja është shumë pak, jashtëzakonisht shumë pak ne krejt komuniteti artistik funksionojmë vet se nuk kemi mbështetje prej askujt, buxheti është shumë i ulët kur bëhet një film. E në anën tjetër po ky film po na hap dyert nëpër festival, bota po na njeh se kush jemi edhe prape se prape këta nuk binden që duhet me mbështet më tepër. Nganjëherë them se sa vendi i vogël jemi dhe në çfarë vështirësi kalojmë, veç dashuria shumë e madhe për këtë punë që e bëjmë se kishim hekë dorë secili prej nesh duke filluar prej meje.
Cili ishte roli me i vështire për ju, dhe cilin rol do ta refuzonit?
Roli që nuk jam ndje mirë dhe që kam mendu që mundem me jap më shumë nga vetja është roli tek shfaqja ‘Kopshti i Vishnjave’.
Kisha rol kryesor, rol që mundet me na u ofru çdo ditë, rol me shumë peshë po që unë mendoj që kam mujt me jap ma shumë prej vetës. Isha në një periudhë të jetës jo shumë të lehtë, thjesht nuk kam ditë. Jam një nga personat qe e ndaj profesionin dhe privaten s’paku mundohem, kur kam dicka profesionale mundohem me qenë korrekte, pavarësisht çka mendoj privatisht për x personin, po kësaj radhe në atë shfaqje nuk kam mundur me nda më ka kaplu ana emocionale më tepër se sa që duhet.
Mendoj që është një prej roleve më të bukura që më është ofru, jo më i miri po një prej më të mirëve, po që unë nuk kam mundur si Shengyl me jap maksimumin edhe që është problem me të ardh një rol si ai shumë shpesh.
Në filma nuk e di nuk ka ndonjë rol që e kom refuzu për shkak të ndonjë skene, unë mendoj që secila skenë i përket aktorëve. Secila skenë pa përjashtim.
Po çka kisha me refuzu është nëse është një skenë nudo që është e shkrume për me u shit filmi atë e refuzoj, po kur është skena nudo që e arsyeton skenari pa pikë problemi e bëj.
Më flisni pak nëse jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar nga kolegët apo audienca sa i përket roleve që keni pasur në shfaqje dhe film?
Prej kolegëve jo, s’paku unë s’kam ndëgju që kanë paragjyku. Prej publikut po, se kam marr mesazhe qe e kam kuptu, e kam pas një rol tek shfaqja ‘’Bordel Ballkan’’ ka qenë shumë shfaqje eksplicite edhe vulgare, që unë e veçoj një prej shfaqjeve ma të bukura të Teatrit Kombëtar, jo pse unë jam pjesë në atë shfaqje po thjesht është një prej shfaqjeve ma të bukura dhe një prej roleve të mija ma të mira.
Shfaqja dy vite ka qenë ne raportorin e Teatrit Kombëtar, ka pas shikueshmëri të jashtëzakonshme, ka pas persona që kanë ardh për të dhjetën herë me pa shfaqjen sepse e kisha rolin e një këngëtare që në të njëjtën kohë kisha mundësi me pas kontakt direkt me shikuesit dhe mundesha me i pa fytyrat, edhe unë kam pa fytyra që nuk e ndjekin Teatrin Kombëtar asnjëherë por e kam ditur saktë për çka po vijnë. Shfaqja ka pasur skena nudo edhe unë e dija saktë që po vijnë me pa skena nudo. Ka qenë ligj aty që mos me u xhiru me telefon edhe unë në fillim të shfaqjes e them edhe në mikrofon ”ju lutem ndalohet xhirimi dhe fotografimi i shfaqjes” pikërisht për shkak të skenave. Po unë shoh dikë duke xhiru dhe unë nën rol nuk dal prej rolit jo si Shëngyl por si Esma zbres poshtë the i them çka të kam thënë unë, a kam thënë që duhesh me ndal telefonin ndale telefonin.
Edhe kam marr mandej mesazhe që kanë mendu që ajo që jam unë brenda teatrit jam edhe jashtë skene. Por kjo është e bukura e artit që un mundem me hy në lëkurën e secilit karakter për atë arsyeje edhe e du këtë zanat.
A ka ndodhur te mos jesh shkëputur nga një rol qe ke pasur, ndoshta qe ti ke pasur probleme për me dal prej një roli edhe nuk ke ditë me funksionu ose me ju kthye reales?
Kam qenë shumë e re diku 25-26 vjeçare do ta veçoja një rol që e kam pas në Teatrin Dodona “Fundloja e Beketit” me regji të Kastriot Saqipit. Një prej shfaqjeve që e adhuroj, është shfaqje shumë e rëndë, rolet kryesore kanë qenë dy meshkuj, po regjisori njërin rol e kthen në rol femër, ajo ishte një zonje 80 vjeçare e paralizume edhe e verbët. Për mu ka qenë sfidë jashtëzakonisht e madhe, në vepër shkrujke që zonja e verbër me mbajt syze, dhe unë them që syze nuk du me mbajt, po du me lujt me sy hapur, ishte shfaqja një orë e 20 minuta, vetëm dy herë e kam pasur mundësinë me mbyll sytë, isha dhe me karrocë që u është dashur mos me ba asnjë lëvizje vetëm dy momente i kam pas që ia kam kthy shpinën publikut dhe 1 orë e 20 minuta i kam mbajt sytë hapur pa i mbyll.
Unë isha shumë e re edhe gradualisht prej punës tepër të madhe unë fillova me ndih vetën shumë të lodhur, edhe në premierë në një moment të caktuam ka fillu me ndodh diçka me durt e mija me mu paralizu edhe unë në ato momente nuk mundem as me fol as me lëviz, dhe kolegu po mendon që unë e kam harru tekstin edhe po vjen po mundohet me ma tregu në vesh , unë fillova perime me u ndi e paralizume dhe veç i kam qu sytë kah dritat se regjisori ishte nalt edhe u mundofsha që mos po e vren që me i leshu perdet edhe me mbyll se unë nuk mundesha me vazhdu, po askush nuk mujke me kuptu se çka o tu ndodh me trupin tem, ajo nuk ka zgjat shumë po për mu ka qenë tepër gjatë, po për publikun ka zgjat disa minuta, duke mendu që është pjesë e shfaqjes.
Gradualisht duke i folur vetes çlirohu çlirohu është veç rol nuk je ti kjo është veç rol duhesh me u qetsu me vazhdu, gradualisht fillova me i ndjeh gishtat, ky është një prej momenteve që kurrë në jetë s’ka me harru e kjo është kur hyn ma shumë në rol se sa duhet.
A mundemi me cilësu këtë rol si ma të vështirin që e ke pas?
Po lirisht, më vjen gjynah shumë se Dodona ka ndryshu shumë edhe prej se nuk është Faruk Begolli kanë ndryshu gjërat se sigurisht ajo shfaqje kish me jetu. Tash nuk e di a kisha mujt me lujt ashtu, atëherë ka qenë shumë e veçantë edhe kanë kalu muaj që unë jam ndjeh si plak nuk kam mundur me dal prej rolit. Asnjëherë nuk e harroj të ndjerin Faruk Begollin, u ul në dy gjunjët edhe më ka puth dorën edhe asgjë ska fol veç më ka puth dorën. Ai moment ka qenë një prej momenteve ma të bukura në jetë që kurrë s’ka me harru.
A mendoni se ka seksizëm në Teatrin Kombëtar?
Po, pikësëpari punohen shfaqje ku rolet kryesore janë veç për meshkuj. Aq rrallë ka role kryesore për femra sa është e tmerrshme. Gjithmonë femra është si mbështetëse ose femra është ajo që i bënë problemet e në këtë aspekt mendoj që kemi probleme me teatrin që shumë pak ka role për femra.
Çka mendoni se duhet bërë për ta ndryshuar këtë problem?
Nuk e di se çka kishim mujt me ba, në filma nuk ndodh, po në teatër po. E kemi diskutu shumë herë mes kolegëve, por që kryesisht veprat që zgjedhën për teatër nuk ka role kryesore shumë pak shumë rrallë herë ndodh.