
Me pritjet e zyrtarëve shtetërorë dhe vizitat në qendra dhe qytete të ndryshme, Princi Charles dhe Dukesha Camilla kanë përfunduar vizitën e tyre dyditore në Kosovë.
Ditën e dytë të vizitës ata e nisën në takim me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, e cila e dekoroi atë me Urdhrin për Paqe Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”.
Pas këtij takimi, çifti mbretëror së bashku me presidenten Jahjaga kanë vendosur kurora lulesh pranë monumentit për personat e pagjetur, që gjendet në hapësirën e Kuvendit të Kosovës. Princi i Uellsit, Charles, ka takuar qytetarë të shumtë në sheshin “Ibrahim Rugova”, të cilët e kanë falënderuar për vizitën e tij në vendin tonë.
Ai pati rastin të takohet me disa familjarë të cilëve u janë zhdukur të afërmit gjatë kohës së luftës. Madje, disa prej tyre i thanë Princit se nuk do të ketë pajtim me Serbinë, derisa të kthehet kufoma e fundit në Kosovës. (Zëri)