
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka thënë se atmosfera brenda koalicionit qeverisës është në suaza të normales, pavarësisht se LDK-ja e quajti parti të natës, PDK-në.
Në një intervistë për “Zërin”, Grabovci ka thënë se kanë një bashkëpunim të mirë dhe falë këtij bashkëpunimi kanë arritur të mos lejojnë bllokimin e institucioneve.
“Atmosfera është normale, në suaza të normales lirisht mund të them. Kemi një bashkëpunim korrekt, deri më tash është koalicion funksional me gjithë ato vështirësitë që jemi përballur deri më tash mendoj që falë këtij bashkëpunimi dhe mirëkuptimi kemi arritur me sukses të mos lejojmë bllokimin e institucioneve të vendit. Kemi bërë përpjekje që të përmbushim obligimet tona ligjore dhe kushtetuese dhe ia kemi arritur suksesshëm”, ka thënë Grabovci, i cili ka shtuar se do të japin maksimumin e tyre në kuadër të grupit parlamentar që të jenë korrekt me gjithë partnerët e koalicionit, pasi është interesi i qytetarëve për procesin që po kalojmë.
“Çdo variant tjetër ne e vlerësojmë si të dëmshëm dhe pengon rrjedhën normale të proceseve dhe dëmton interesat e qytetarëve të vendit”, është shprehur Grabovci.