×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Zoti, morali dhe politika

    Insajderi
    12 October 2021 - 15:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zoti mund të jetë një shtytës i mirë në ngritjen në përgjegjësisë individuale ndaj fenomeneve dhe çështjeve publike, por Zoti as nuk e ndihmon kë, e as e dëmton kë në këto procese. Suksesi politik varet nga respektimi racional i ligjërive të një rendi të madh rajonal, kurse morali në politikë shpërfaqet varësisht nga përpjekjet tona për ta inversalizuar thellësinë e pastër të ndërgjegjes njerëzore në çështjet publike

    Nga Latif MUSTAFA

    Të flasësh e të shkruash për moralin dhe kjo mos të ketë një ndërlidhje me Zotin është disi e pamundur. Në një farë mënyre, morali ka kuptim veç nëse Zoti ekziston. Nëse Zoti nuk ekziston jemi të lirë të bëjmë çfarë të duam – thoshte Dostojevski. Kjo ekzistencë, nuk ka të bëjë me ndonjë ekzistencë objektive të Zotit. Përtej diskutimit të Zotit si nocion dhe grimcë të përjetimit estetik, ekzistencën objektive të Zotit as nuk mund ta vërtetojmë e as ta përgënjeshtrojmë – do thoshte Kanti. Kjo ka të bëjë me bindjet dhe përzgjedhjet e individit. Dikush e ndërton realitetin me Zotin dhe angazhimin e tij, dikush tjetër me Zotin dhe neglizhencën e tij, disa të tjerë, pra prezencën e Zotit fare.

    Konceptimi i Zotit nëpër kultura dhe religjione është i ndryshëm, qoftë për nga forma qoftë për nga përmbajtja. Ekzistenca dhe mosekzistenca e tij është thellësisht dogmatike. Njeriu e beson ose nuk e beson ekzistencën e tij. Të arsyetuarit dhe argumentuarit e Zotit është njëfarë stërvitje retorike e cila, mbase deri në një fare mase, duket legjitime dhe valide, por pas një momenti të të bazuarit në premisa apodiktike apo një logjike të domosdoshmërisë së ekzistencës, vijmë në përfundim se, më tepër se sa argumentim, Zoti është një përjetim estetik. Ky përjetim manifestohet qoftë në formë artistike, qoftë në formë ligjërimore. Por, duhet pranuar se Zoti është prezentë në jetën e njerëzve, si në ecejaken e përditshmërisë së tyre, si në situata kufitare, situata ku vija midis jetës dhe vdekjes është shumë e hollë. Ai është aty.

    Prezenca e Zotit në jetën e njerëzve predeterminon sjelljet e tyre. Besimi në gjërat metafizike, besimi në Zotin, engjëjt e Zotit dhe besimi në Ditën e Llogarisë, i bën njerëzit që të kenë një formë të caktuar të sjelljeve. Morali sipas rekomandimeve të librit fetar i bën këto njerëz të presin shpërblimin nga Zoti i tyre. Zoti ka në rol të rëndësishëm në formësimin e moralit dhe teorive etike. Moral do të thotë vazhdimësi e përsëritjes së sjelljeve të caktuara. Këto sjellje nën prezencën e Zotit, meqë në vete kanë ritualin si thelbin e lëvizjes ndaj Zotit dhe njeriut, krijojnë fenomenologjinë e moralit. Por morali, ka ekzistuar edhe në shoqëritë arkaike ku Zoti nuk ka qenë i artikuluar në formën e një gjykuesi suprem dhe një qenieje omniprezente. Morali, si shënjues i sjelljeve unike të caktuara njerëzore, sot është produkt edhe i praktikave të ndryshme normative të cilat penalizojnë në rast të shkeljes publike apo thyerje të rregullave të moralit publik. Shoqëria përmes një kontrate ka vendosur normat e mirësjelljes dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të secilit. Religjioni, zakonet dhe tradita, gjegjësisht interpretimi i tyre, vazhdojnë të mbeten burimi kryesor i moralit.

    Përbri moralit privat i cili është subjektiv dhe i një anshëm, morali publik apo shoqëror është një lloj marrëveshje politike dhe kulturore. Morali publik, për më tepër, ka të bëjë me kodekset e ndryshme etike të cilat janë ndërtuar e mbindërtuar me kalimin e kohës dhe po ashtu kanë qenë të ndikuara nga ligjet normative. Thelbi i normativitetit është kontrata politike. Kontrata politike si akt sjellë në jetë kushtetutën si aktin më të lartë të një shoqërie. Shoqëritë tona janë heterogjene dhe individë të ndryshëm kanë burime të ndryshme legjitimiteti moral. Shembull në shoqëritë tona nuk ekziston një vijë ndarëse midis moralit privat dhe moralit publik. Ato shpesh ngatërrohen ose shkrihen në njëra tjetra në diskursin e përditshëm publik. Një politikan i cili nuk e donë nënën e vet apo thjeshtë, e ka dërguar atë të jetojë në një shtëpi pleqsh, nuk do të jetë i preferuari i publikut, apo i votuari i tyre. Gjykimi publik për të do të jetë se, në qoftë se ai nuk e ka dashur nënën e tij, si do të më dojë mua? Njeriu mund të ketë shumë shkaqe të tjera për ta shpie nënën në shtëpi pleqsh. Me një fjalë, morali privat është njëkohësisht pjesë e moralit publik. Paçka se ato janë të ndara, gjykimi i publikut për moralin publik është një lloj universalizmi i moralit privat. Apo një shembull tjetër, kur një njeri i cili nuk është ndonjë besimtar devotshëm dhe ka jetë të shthurur por që si politikan është i zoti dhe i përgjegjshëm që t’i qëndrojë pas zotimeve të tij dhënë publikut. Përkundër përpjekjeve të tij, shoqëria që ka njëfarë sensi komunitar për moralin religjioz do ta “persekutojnë” moralin e këtij individi. Nëse jo, të paktën do të jenë nihilistë, dhe shpërfillës.

    Morali publik është pjesë e çështjeve publike, gjegjësisht, pjesë e organizimit të institucioneve dhe hapësirës publike në përgjithësi. Jo të pakta kanë qenë përpjekjet për të dëshmuar domosdoshmërinë e moralit në politikë. Por çfarë morali? Religjioz, publik apo sjellje të bazuara në norma universale njerëzore? Politika si veprimtari publike formësohet e formëson moralin publik. Kthimi apo riaktualizimi i moralit në politikë, etikës në politikë, nënkupton kthimin e përgjegjshmërisë publike dhe vetëdijen e lartë për gjykimin publik në veprimtarinë politike. Një politikan, më të lehtë faljen që do t’ia bëj Zoti për mëkatet e tij, se sa faljen apo dënimin që do t’ia jap publiku në rast të mos përmbushjes së premtimit publik. Problemi është se në diskursin tonë të përditshëm kthimi i moralit në politik nënkuptohet me kthimin e Zotit në politikë. Një gjë e tillë është e pamundur dhe dëmshme. Mundësitë për ta instrumentalizuar Zotin si mjet sundimi dhe represioni janë më të mëdha se simbolika e tij si shkak i denoncimit moral dhe frikërrespekti në vendimmarrje. Moralin e politikës e ndërton përgjegjësia, mobilizimi i opinionit publik për premtimet dhe devijimin e politikbërjes nga dobishmëria publike si konsensus dhe jo kthimin e Zotit, që lehtësisht mund të katapultohet si imazh persekutimi moral dhe forcë legjitimiteti, kur është në pyetje pushteti.

    Pushteti dhe yshtja për të triumfon ndaj çdo morali. Moralin, si çdo gjë tjetër e formëson i pushtetshmi. Se çfarë është e drejtë dhe e padrejtë e formëson ndërgjegjja tek i cili në njërën anë qëndron leverdia e pushtetit dhe në anën tjetër drejtësia si moment i humbur. Individi mund të stimulohet nga morali privat i bazuar në një filozofi religjioze, por të vepruarit në kolektiv në frymën e një morali të përcaktuar publik që vjen si rezultat i politikës, si luftë për të fituar dhe mbajtur pushtetin, është në kundërshti dhe i tëhuajsuar nga ky moral privat. Pushteti dhe benefitet e tij, instrumentalizojnë edhe Zotin. Në anën tjetër, “kyçja” e Zotit brenda një procesi mondan, e dehumanizon politikën dhe përllogaritjes së arsyes njerëzore vendin ia nxë një lloj fataliteti apo “destinomi” hyjnor, gjë që është e pamundur dhe krejt irracionale. Individ të ndryshëm në betejën e tyre politike për pushtet, prezenca e Zotit dhe pritja në shpërblimin e tij me fitore politike, çështjes i jep një dimension fatalist dhe “mrekullinë” e Zotit e bën të mirëqenë dhe faktike. Në fakt kjo pritje është shpresë dhe shpresa rezulton me zhgënjim. Ngaqë dora e Zotit nuk vendos për ngadhënjyesin dhe humbsin, por vendosin ligjshmëritë dhe projeksionet. Prezenca e Zotit në luftë do të thotë dhembshuri, dhe dhembshuria do të thotë humbje. Politika është luftë, kurse lufta përtej fuqisë dhe strategjisë për imponimin e vullnetit tënd armikut, ajo është mashtrim dhe dredhi. Humbësit vazhdojnë të kërkojnë moral dhe fituesit vazhdojnë të mbjellin fuqi. Prej një simbolike shpresëdhënëse Zoti do të kthehet në një figurë të shurdhër, kalkulonte dhe neglizhente. Përtej kësaj, të kërkosh moralin dhe Zotin në politikë, ngjan të jesh, ose naiv ose instrumentalizues i Zotit për pushtet.

    Morali religjioz në teleologjinë politike është fatalist. Tellos-i, apo teleologjia është projeksioni parashikimi dhe vizioni për fundin e gjërave. Morali i ndërtuar mbi ritualin religjioz e edukon njeriun rreth disiplinës dhe rëndësisë së shprehive atomike të cilat mund të sjellin ndryshime të mëdha në rezultate. Ky lloj morali nuk është fatalist dhe mrekullibërës. Ky lloj edukimi nuk e pret “ndërhyrjen” e Zotit në tokë. Morali religjioz porositë në akordinimin ndaj rendit dhe ligjshmërive të krijuara nga Zoti dhe varësisht nga ky precizitet dhe akordancë rezultatet mund të jenë lehtësisht të parashikueshme. Në syrin e Zotit, e mira dhe e keqja janë në një moment zero dhe pa ngarkesë negative e pozitive. Zoti, sipas narracionit dhe apologjetikës fetare, ka ndërtuar një rend me ligjshmëri të Arsyeshme në lëvizjen e universit. Varësisht akordimit dhe rrokjes së arsyeshme nga ana njerëzore e këtij rendi të Arsyeshëm mund të priten rezultatet e projektuara. Veç arsyeja mund të rrok Arsyen.

    Në sensin e etikës politike si teori, themelet e moralit politik duhet të kërkohen në thellësinë e ndërgjegjes individuale njerëzore, ndërgjegje kjo e cila është e barazvlefshme dhe gjithëpranueshme për secilin shpirt njerëzor. Morali publik është universalizimi i moralit të njëmend privat dhe subjektiv. Universalja është një, tek dhe e vetme. Meqë kemi të bëjmë me një qasje universale të moralit të bazuar në thellësinë e ndërgjegjes njerëzore, etikë kjo që lehtësisht mund të gjendet tek porositë religjioze, fundi i thellësisë së ndërgjegjes njerëzore pikëtakohet me fillimin ndërgjegjes së Zotit. Politika, mund të themi se, është prerje e reflektimeve të të gjitha këtyre moraleve, por që në vetvete ajo krijon moralitetin e saj autentik. Shkundja e politikës nga mrekullia e “revanshit” të Zotit ndaj politikanëve të pandërgjegjshëm është fillimi i moralit autentik të politikbërjes. Zoti ashtu siç nuk ndërhyn në universin si mekanizëm i vetërregulluar ai po ashtu nuk ndërhyn as në proceset dhe fenomenet shoqërore.

    Njashtu edhe në politikë. Zoti mund të jetë një shtytës i mirë në ngritjen në përgjegjësisë individuale ndaj fenomeneve dhe çështjeve publike, por Zoti as nuk e ndihmon kë, e as e dëmton kë në këto procese. Suksesi politik varet nga respektimi racional i ligjërive të një rendi të madh rajonal, kurse morali në politikë shpërfaqet varësisht nga përpjekjet tona për ta inversalizuar thellësinë e pastër të ndërgjegjes njerëzore në çështjet publike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark