
Ndikimi i hulumtimit të Insajderit, për vëllain e kryeministrit që ka kërkuar azil në Gjermani dhe Francë, nuk ka hapur debat vetëm për qeverisjen në Kosovë por edhe në në vendin e drejtuar nga Angela Merkel.
Fakti se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është takuar me kancelarin gjermane Angela Merkel, në të njejtën kohë që vëllai i kryeministrit Ragipi, kishte shkuar ilegalisht si azilkërkues në Gjermani, ka bërë që partia opozitare në Gjermani të akuzoj pozitën e udhëhequr nga Merkel.
Dhe krejt kjo ka ardhur disa ditë pasi që Angela Merkel ka fituar zgjedhjet e partisë. Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë, AFD, e ka sulmuar Merkelin, nëpërmjet hulumtimit të Insajderit.
Nëpërmjet Facebook-ut, partia e udhëhequr nga Frauke Petry, e që është kundër ardhjes së refugjatëve në Gjermani, ka shkruar se “në çmendurinë e imigrimit të muajve të fundit në Gjermani, asgjë nuk është e pamundur”.
“Ka pasur një kërkesë për azil nga vëllai i kryeministrit të Kosovës –vetëm pak ditë para se kryeministrit të pritej në Berlin nga ana e kancelares Merkel. Arsyeja, e ka pranuar kryeministri, se i vëllai vuan nga një sëmundje që nuk shërohet në Kosovë? Azil për shërim sëmundjesh? Çmenduri e prodhuar në Gjermani. Koha për ndryshim. Koha për AFD-në”, shkruan kjo parti në faqen e tyre në Facebook.
Por kjo parti ka shkuar edhe më larg. Ka bërë një poster të veçantë, për të treguar se vëllai i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar azil në Gjermani, në kohën që Merkel e priste në Berlin Isa Mustafën.
“Nuk është shaka. Vëllai i kryeministrit të Kosovës ka kërkuar azil në Gjermani”, shkruan në poster.
Në zgjedhjet e fundit rajonale këtë muaj, AFD-ja e mundi në disa rajone CDU-në e Merkelit dhe tani përfaqësohet në 8 parlamente shtetërore në Gjermani.
Një numër mediash ndërkombëtare kanë raportuar për kërkesën e vëllait të kryeministrit për azil në Gjermani, duke thënë se kjo bëhet për shkak të kushteve të mjerueshme të shëndetësisë në Kosovë.