
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të hartohet dhe me të do të themelohet.
Në lidhje me demarkacionin, Mustafa ka thënë se kjo çështje ka mbetur në duart e komisionit ndërkombëtar. Kryeministri e ka pranuar se serbët janë pengesë për krijimin e Forcave të Armatosura. Ka thënë se subjektet politike serbe po e mbajnë peng transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.
Ka kërkuar dialog ndërpartiak për tejkalimin e të gjitha pengesave.
“Duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët, në mënyrë që bashkërisht t’i tejkalojmë këto çështje. Të punojmë në reformën zgjedhore, sepse duhet ta bëjmë këtë reformë”, ka thënë Mustafa në intervistën për Radion Evropa e Lirë.
“Po ashtu, të punojmë edhe në çështje tjera me rëndësi, siç janë integrimet evropiane apo transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës”, ka thënë ai për ta pranuar se cështja e FSK-së është në dorë të serbëve.
“Ne po mundohemi maksimalisht që t’i tejkalojmë këto pengesa dhe këto hezitime, veçmas te pakica serbe, sepse po mos të ishin ato, e them haptas, ne do ta bënim transformimin shumë më herët, për arsye se janë bërë të gjitha përgatitjet që FSK të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës”, ka thënë Mustafa./Insajderi.com