Të fortët e pasluftës në Kosovë dhe traumat e karaktereve njerëzore erdhën në shfaqjen ‘Bordel Ballkan’ - Insajderi
×
Kulturë

Të fortët e pasluftës në Kosovë dhe traumat e karaktereve njerëzore erdhën në shfaqjen ‘Bordel Ballkan’

Insajderi
29 April 2017 - 10:42
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Komandanti dhe ushtria e tij kanë bërë gërdinë aty ku paraqitej situata. Lufta është për meshkuj, ndërsa gratë presin në shtëpi. Dhe kur bëhet fjalë për luftën e fundit në Kosovë, komandanti është larguar drejt frontit me ushtarët e tij, por në shtëpinë e tij po bëhet zallamahi.

Gruaja e tradhton, fëmijët kanë nisur ta harrojnë, në kafenë e qytetit ka muzikë e prostitucion, dhe ka shanse që komandanti të kthehet i vdekur. E kur Astrit Kabashi – në rolin e komandantit, kthehet i fuqishëm fitimtar prej betejës, gruaja e tij do të tjetërsohet. Më nuk është një kurvë, por një shenjtëreshë, më jo një mëkatare por një grua e devotshme që sheh burrin ti kthehet nga lufta edhepse vetë thotë se nuk dëshiron që kjo të ndodhë, derisa bën seks me tjetrin dhe planifikon komplotin kundër burrit.

Skena është çdoherë histerike, me njerëz të zhveshur brenda bordelit që mbahet për motel, ose bordelit e motelit ndaras. Komandanti ka vajzë Elektrën, një djalë homoseksual i cili vishet si grua, dhe qershia mbi tortë janë ndërkombëtarët që komandantin e fusin në grushtin e tyre kur ky i fundit nënshkruan që gjithçka, pos pompave të benzinës e parkingjeve, t`u shkojë atyre.

Bordeli i tillë, dhe veç pak kemi sjellë nga ai, është ai që erdhi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Bordel Ballkan” erdhi mbrëmë për më shumë se dy orë, me regji nga Andras Urban dhe dramaturg Jeton Nezirajn, për të treguar edhe njëherë sa papastërti ka në pastërtinë që proklamohet në përditshmërinë e pasluftës në Kosovë.

Zhvishet gruaja e komandantit, për ta qetësuar atë kur ai merr vesh se Bashkësia Ndërkombëtare nuk po e lejojnë ta zhvatë gjithçka para syve.

Tek e fundit, për këtë kemi luftuar – thotë komandanti. Djali homoseksual i komandantit i bën gojore një tjetër personazhi, një agjente e armikut trajtohet tmerrësisht, edhe pse mund të lirohet nga litari si për kafshë.

Regjisori Fadil Hysaj e ka quajtur shfaqjen si provokative dhe e cila ka një regji e një tekst të guximshëm.
“Megjithatë shfaqja nuk do të duhej të ishte e padurueshme për publikun kosovar. Deshëm ne apo s’deshëm në shfaqje po paraqitet një mendësi ballkanike por ka një thirrje për një botë më të mirë në këto anë. Liria nuk mund të dirigjohet prej askujt” ka thënë për shfaqjen regjisori Fadil Hysaj.

Shfaqja “Bordel Ballkan” erdhi në sallën e mbushur të Teatrit Kombëtar. Në pjesën e pasme të objektit të Teatrit pak para shfaqjes u pa edhe Policia e Kosovës, kjo pasi shfaqja pati kërcënime nga Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Adrian Morina, May-linda Kasumoviq, Shengyl Osmani, Armend Baloku, Astrit Kabashi, Arta Selimi, Ylber Bardhi, Adhurim Demi, Albulena Kryeziu, Semira Latifi, Armend Smajli e Shpejtim Kastrati derdhën djersë, lot, gjak, gjak, gjak, gjak, gjak, gjak, puthje, ofendime e sharje në të katër anët e skenës që dukej se do të trembej prej këtij realiteti post-luftë që as në ëndrra kosovarët se kishin parë.

“Ky është edhe misioni i teatrit, që të ngrehë pikëpyetje dhe më pas publiku të mund ti gjeje përgjigjet e veta. Teksti e regjia janë tejet të guximshme dhe ne si aktorë i qëndrojmë fjalë për fjalë kësaj shfaqje dhe ngjarjes e fjalëve brenda saj. Është guxim të thuhen këto gjëra, dhe ne i thamë në shfaqje individualisht e kolektivisht, dhe ky është misioni ynë – që të themi atë në të cilën besojmë. Unë shfaqjes i dëshiroj jetë të gjatë dhe shpresoj që do të zgjojë kureshtje tek shikuesi dhe të na përkrahin edhe në repriza” tregon për KultPlus aktori Adrian Morina.

Në frontin e luftës diku u hap një kafe me emrin “Bijtë e Kurvës”. Tek kjo kafe manovrohej, bëheshin plane, mishmashe njerëzore, kjo për ta mbytur armikun – ata tjerët bijtë e kurvës.

Shoku i komandantit, poeti fragjil e naiv e shpesh i ashpër për tu botuar në revista me poezitë e tij, është një tjetër pikë kyçe e këtij projekti. Ai shkruan, “sepse këtu edhe mos me dashtë, në këtë vend, bëhesh poet”. Fuqia e tij, pos në penetrimin e gruas së komandantit, është edhe pena e intelektualit. Luftën, sipas tij, e kanë fituar intelektualët dhe jo ata që me armë luftojnë. Ai shkruan për Hamletin, për dashurinë.
Pasi e vranë komandantin, gruaja e tij dhe i dashuri i saj kanë probleme tjera. Bëhet dasmë por për fatin e mirë të askujt. Esma është këngëtarja e natës, që i sjellë pak pozitivet kësaj pasqyre të errët të shoqërisë kosovare të pasluftës. Organet gjenitale nxirren për të treguar djallëzinë e mendjeve që janë rrokur prej fantazmave. Djali e mbyt nënën, djali i komandantit, e dikur në shfaqje futet vallëzimi modern i një tipi të çuditshëm ndërkombëtar i cili mbahet me dy anët e shoferit – seks me meshkuj e seks me femra.

Aktorja Shengyl Ismaili thotë se edhe pse pati plot zhveshje e skena erotike gjatë shfaqjes, e mira e teatrit është që këto gjëra analizohen e shihen më pak.

“Regjisori e ka këtë bukuri, që në asnjë moment gjatë performancës ti nuk e sheh se kolegët e tu janë zhveshur dhe kjo nuk paraqet asnjë problem” thotë Ismaili.

“Teatri është i tillë, e krijon reagimin e tij dhe njeriu është i zhveshur në skenë por ti nuk e sheh. Nga zhvillimet që ndodhën këto ditë shihet se shfaqja ka goditur” tregon aktorja Shengyl Ismaili për KultPlus.

Por shfaqja ka disa tablo, të cilat vijnë e shkojnë ngadalë për të ndërtuar në fund paturpësinë e komandantit ushtarak, familjarëve të tij, shokëve, pastrueses së hotelit, qimeve që ndjellin tmerr.

Gjithcka e ka kohën e gjykimit, por gjithçka ndërtohet nga të fortët, dhe katrahura e nisur prej komandantit vazhdon kryesisht në familjen e tij, edhe jashtë saj, në njerëz që kanë vuajtur shumë por mendojnë se mund ta bëjnë vendin copë e grimë veç pse luftuan. Të tjerët, ata që nuk patën fuqi – “bole, mjaftueshëm” për të luftuar, do të jenë të copëtuarit, qofshin këta të çmendurit, homoseksualët, shërbëtoret, frikacakët, ata që gati shkuan në luftë por veç prej pritesës nuk shkuan.

“Ne duhet të mbrohemi nga këta njerëz, sepse gjithmonë pas një lufte do të ketë të tillë që do të vijnë të na dirigjojnë, të përfitojnë nga ne dhe nga sistemi. Shfaqja mendoj se u realizua mirë sonte dhe mendoj se qëllimi i saj u realizua, duke u munduar ta luftojmë një dukuri të tillë të vendeve kryesisht të Ballkanit” tregon për KultPlus regjisori Andras Urban.

Dhe në fund të shfaqjes përthekohet tmerri, dihet se gjithçka po shkon në djall, se disa po çmenden e disa po dalin se për pak kënaqësi në organin e tyre gjenital bëjnë çdo gjë, dalin prej vetes. Të vdekurit zgjohen, ndoshta për të mos e besuar çka po ndodhë në këtë vend të pasluftë, ku u harrua dhimbja e u largua nga ekuacioni i njerëzimit. Komandanti është tirani kryesor ndërsa të tjerët që erdhën pas tij veç sa e ndihmuan faktin që kjo situatë të përfundonte tmerrësisht keq. / KultPlus.com


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark