
Shpresa Shala në të kaluarën ishte drejtoreshë e shkollës fillore të mesme të ulët “Xhemail Mustafa”, në Prishtinë. Në 2019-ën ajo u emërua sërish drejtoreshë, veçse e Arsimit në Komunën e Prishtinës. E tani me ndryshimin e pushtetit në komunë, Shpresa Shala iu është rikthyer postit të drejtoreshës së shkollës.
Por si arriti që Shala t’ia ruaj vetës postin e drejtoreshës në shkollën “Xhemail Mustafa” ajo ka folur për Gazetën Insajderi. Shala është shprehur se ky rikthim është bërë në mënyrë ligjore.
Ka treguar që me 6 dhjetor vetëm ka liruar detyrën e drejtoreshës në Komunë, ka bërë kërkesë në instancat gjegjëse dhe ka marrë përgjigje pozitive. T’i kthehet punës që bënte dikur.
“Po është e vërtetë, unë e kam liru pozitën (Drejtoreshë në Komunën e Prishtinës) para se me ardhë kryetari i ri, zyra e burimeve njerëzore e ka dërgu tek zyra ligjore, zyra ligjore e ka miratu vendimin ish-kryetari e ka nënshkru dhe jam kthy në shkollë”, ka thënë Shala për Insajderin.
Shpresa Shala është emëruar drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës me 25 shkurt të vitit 2019-të nga kryetari i atëhershëm, Shpend Ahmeti.
Përmes një njoftimi në Facebook, Ahmeti pati njoftuar se deri në 2019-ën ajo ka qenë drejtoreshë e Shkollës “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.
“Në punën e saj ka arritur suksese të jashtëzakonshme, si në zbatimin e kurrikulës ashtu edhe në vendosjen e rregullit në shkollë, si dhe bashkëpunimin me Këshillin e Prindërve. Edhe më me rëndësi, shkolla ka treguar rezultate në suksesin e nxënësve. I urojmë suksese në punën e mëtutjeshme në menaxhimin e arsimit në komunën tonë”, thoshte Ahmeti.