
Ministria e Kulturës që po kritikohet për ndarje ‘absurde’ të buxhetit për artistët, duket se nuk ia ka lënë lehtë edhe për projekte të Organizatave Joqeveritare, të cilat sipas shumës së parave që kanë fituar, del se kanë marrë edhe nga 30 mijë euro për të ‘dokumentuar’ se qysh bëhet një kanagjeq në Rrafshin e Dukagjinit. Ose një tjetër, se qysh bëhet dasma e Karadakut.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën e përfituesve të Organizatave joqeveritare (OJQ) për mbështetje financiare në fushën e Trashëgimisë Shpirtërore 2021.
Në listën përfituese del të jetë një projekt me emër “Kanagjeqi në traditën e Rrafshit të Dukagjinit”.
Këtij projekti, MKRS i ka ndarë 23 mijë e 800 euro.
Po ashtu, MKRS ka ndarë mjete financiare edhe për projekte të tjera, si: “Dokumetimi i dasmës së Karadakut” me mbi 31 mijë euro dhe “Tregimet e gjyshit dhe gjyshes, mite, doke, zakone, bestytni, anektoda” me mbi 20 mijë euro.
Ministria e Kulturës që udhëhiqet nga Hajrullah Çeku i Vetëvendosjes, është kritikuar për këto ndarje të granteve.
Kujtojmë se para pak ditësh, para Ministrisë së Kulturës, kanë protestuar një grup artistësh edhe për subvencionimin e projektit për blerjen e veprave të artit, ku Ministria është kritikuar se ka ndarë mijëra euro për një artist, e asnjë cent për ndonjë tjetër.