Si përfundoi pas hekurave Lefter Koka, ja si u dhanë dy tendera pa asnjë garë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Si përfundoi pas hekurave Lefter Koka, ja si u dhanë dy tendera pa asnjë garë

    Insajderi
    16 December 2021 - 00:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Afera e inceneratorëve dhe arrestimi i ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka është përmbledhur në një dokumentar gjatë emisionit “Në Shënjestër”.

    Në këtë përmbledhje, sillen fakte të reja për këtë skemë abuzimi ku flitet për tendera pa garë dhe për inceneratorët.

    Dokumentari
    “I jam mirënjohës ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Financave, që ndonëse gjirokastrit, e zgjidhi deri në fund qesen…”, tha Rama për Lefter Kokën.

    Teksa u ngjit në podiumin e ngritur në këmbët e zonës së trajtimit të mbetjeve në Elbasan, gjatë ceremonisë për inagurimin e koncesionit, kryeministri Rama nuk i kurseu lëvdatat për dy anëtarët e kabinetit të tij qeveritar, ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe atij të Financave Arben Ahmetaj.

    Sipas shefit të ekzekutivit, impianti do t’i jepte fund masakrës ekologjike të trajtimit të mbetjeve në vend, por ajo që Rama dikur mburri me të madhe, sot mund të thuhet pa frikë, se është një nga aferat më të mëdha korruptive të 3 dekadave të fundit, që po prodhon edhe viktimat e para nga drejtësia. Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, një njeri me peshë në politikë, është i pari që provoi byzylykët e ftohtë të drejtësisë lidhur mbi dosjen korruptive të inceneratorëve.

    Një aferë e bujshme, ku janë të përfshirë politikanë, zyrtarë të lartë e biznesmenë, të lidhur në një skemë e cila ngjet të jetë vetëm maja e zbuluar e një ajsbergu. Në një aferë piramidale në dukje me orkestrim shtetëror, ku kompani të lindura nga hiçi, mundën t’i zhvasin buxhetit të shtetit nëpërmjet skemës së inceneratorëve po fantazmë, miliona euro. Koka, një zyrtar i njohur në rangjet e larta të politikës, u ndalua mesditën e së martës, në një kafene në qytetin e tij të Durrësit mbi bazën e urdhër arrestit të SPAK, si i dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. SPAK tha se Koka shpërdoroi detyrën, pasi lidhi kontratën për incineratorin e Elbasanit me kompaninë “Albtek Energy” të Stela Gugalljas, tashmë në kërkim, pa patur një garë.

    Zanafillën, afera e inceneratoreve e pati me impiantin e Elbasanit kur më 4 korrik 2014, një vit pas ardhjes në pushtet të socialistëve, Bashkia e Elbasanit i dërgoi kërkesë Ministrisë së Mjedisit, lidhur mbi një projekt për trajtimin e mbetjeve. Dy ditë më vonë, më 9 korrik 2014 ministria i ktheu përgjigje pozitive, ndërkohë që të nesërmen me 10 korrik Stela Gugallja themelon kompaninë “Albtek Energy shpk”, që më vonë do të shpallej fituese e koncesionit. Në 11 gusht “Albtek Energy”, kompani pa asnjë përvojë në fushën e trajtimit të mbetjeve dhe me kapital themeltar 100.000 lekë i paraqet Ministrisë së Mjedisit një kërkesë për shprehje interesi për koncesione të tipit Partneritet-Publik-Privat për Impiantin e Përpunimit të Mbetjeve Elbasan, shoqëruar me një projekt paraprak në një material prej 25 faqe.

    Nga kjo ditë nis seria e procedurave rrufe midis dhjetra institucioneve shqiptare, ne nivel qendror dhe lokal, që të do të konkretizohen me miratimin e kontratës koncesionare. Fillimisht më 22 shtator 2014 bashkia e Elbasanit shpalli gjendjen e Emergjencës Mjedisore për menaxhimin e mbetjeve në territorin e saj, ndërsa me 14 tetor 2014 Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, nxori urdhrin për ngritjen e Komisionit të Koncesionit.

    Kundër projekti doli Ministria e Financave e drejtuar nga Shkelqim Cani. Pavarësisht kësaj, procedurat ecën me shpejtësi. Madje brenda 24 orëve u kryen 9 procedura, nga shpallja e fituesit deri tek miratimi i kontratës nga qeveria. Ku kompania “Albtek Energy”, doli fituese. Me 16 dhjetor 2014 mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Albtek Energy” shpk, me administrator Stela Gugallja, kjo e fundit partnerja e biznesmenit kontrovers Mirel Mërtiri, që përflitet për lidhje me politikanë të lartë, u lidh edhe kontrata. Vlera e investimit do të ishte 22 milionë euro dhe shoqëria “Albtek Energy”, sipas kontratës duhet ta përfundonte ndërtimin e impiantit brenda 18 muajve. Kompania e Gugalljas, nënkontraktoi kompaninë “Integrated Technology Services” sh.p.k., të Klodian Zotos, për ndërtimin e impiantit.

    Në pamje të parë, duket sikur gjithçka ka qenë një procedurë normale, por pas kallëzimit të bërë nga PD dhe LSI, SPAK zbuloi një skemë të pastër korrupsioni dhe zhvatje, që më gjasë nuk ka vetëm autorësinë e Lefter Kokës, por ndërthur fije dhe interesa të politikës me biznesmenët, përfitues të milionave nga buxheti i shtetit.

    Ish-kryebashkiaku i Durrësit Lefter Koka, që fitoi mandatin e fundit të deputetit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, dhe e dorëzoi atë disa javë më parë, akuzohet për korrupsion në shumën e 3.5 milionë eurove. Një denoncim i bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pak ditë para zgjedhjeve, rezultoi të shndërrohej në një hetim që dëshmon për mënyrën sesi zyrtarët zhvasin xhepat e qytetarëve.

    SPAK thotë se nga hetimi rezultoi se shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar koncensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.

    Stela Gugallja ortake dhe administratore e “Albtek Energy” dhe Klodian Zoto, i “Integrated Technology Services” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre.
    Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij.
    Të njëjtat fakte kishte denoncuar në emisionin ‘Opinion’, edhe presidenti Ilir Meta.
    Ai foli me emra konkretë, emra që sot nuk janë në listën e SPAK.

    Se përse Meta dhe LSI-ja vendosën të akuzonin Kokën, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, kjo mbetet e paqartë, por një gjë dihet me siguri, ish-ministri kishte bërë divorc me këtë forcë politike dhe i ishte bashkuar Partisë Socialiste. Sot, Koka ndodhet nën arrest dhe pa asnjë dyshim arrestimi i një zyrtari të lartë, si ish-ministri i Mjedisit, është një rezultat domethënës. Por pyetjet ngelen.

    A ishte hetimi i tradhtuar jo vetëm sepse dy nga personazhet e tjerë kryesorë, Gugallja dhe Zoto, nuk u arrestuan, por sepse ky hetim prej ditësh po bënte xhiron e institucioneve? Ndonëse oficerët e operacionales pranë Policisë së Shtetit, ishin caktuar t’i vëzhgonin të dyshuarit në distancë nga frika e tjetërsimit të dokumenteve askush nuk e shpjegon se si ata e çanë rrjetën dhe iu shmangën prangave. Zoto dhe Gugallja, konsiderohen si njerëzit kyç në këtë aferë, pasi emrat e tyre, lidhen në mënyrë direkte apo indirekte me dy incineratorët e tjerë, atë të Fierit dhe Tiranës.
    Po ku lidhen Gugallja e Zoto dhe biznesmenin Mirel Mërtiri?
    Më 31 gusht 2017, ministri i Mjedisit, Lefter Koka firmosi koncesionin e tretë të Tiranës në favor të “Integrated Energy” B.V – një kompani e regjistruar në Amsterdam të Holandës, me kapital fillestar 100 mijë lekë.

    Kompania fituese e koncesionit “Integrated Energy” B.V u prezantua në Shqipëri si partnere e “Integrated Technology Services”, “Energy Recuperator” dhe prodhuesit ndërkombëtar të impianteve, “Paul Wurth”. Shoqëria “Integrated Technology Services” është kompania e Klodian Zotos, e cila ishte nënkontraktore e ‘Albtek Energy’ e Stella Gugalljas, për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit dhe aksionere në masën 70 për qind në inceneratorin e Fierit.

    Kontrata për inceneratorin e Fierit u lidh me 24 Tetor 2016 mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë ‘Integrated Technology Ëaste Treatment’. Në një investigim të kryer nga BIRN, u ekspozuan të dhëna se koncesionari i Tiranës menaxhohet në prapavijë nga i njëjti grup juristësh dhe ekonomistësh të rinj, të cilët kanë punuar më parë për zonat e trajtimit të mbetjeve në Elbasan dhe Fier. Sipas BIRN ata i bashkon një historik punësimi me kompani në “Integrated Technology Services e Klodian Zotos. Biznesmeni Mirel Mërtiri, rezulton sipas BIRN edhe zyrtarisht i lidhur me “Integrated Technology Services”, e Zotos, pasi emri i tij figuron në listë-pagesat e kompanisë të paktën deri në mars 2019.
    Pra, siç edhe rezulton nga dokumentet, ky grup biznesmenësh, arritën të përfitonin kontrata koncesionare milionëshe.

    Sipari i arrestimeve sapo ka nisur, ndonëse SPAK e pati në duar dosjen, për gati dy vite.
    Më 19 tetor 2020, ishte Partia Demokratike, ajo që kishte dorëzuar në SPAK një kallëzim penal lidhur mbi atë që e quante afera e mafias së plehrave në inceneratorin e Tiranës. Ku krahas ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, kallëzonte penalisht edhe kryeministrin Rama, ish-Ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, ish-Ministrin e Mjedisit, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe biznesmenët, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

    Dhe se sipas PD: “Rama është “peshku i madh” në aferën e mafias së plehrave dhe se kjo vihet re fare mirë, kur i jepet 75 milionë euro një personi të vetëm, pa tender e pa garë”.
    Kallëzimi i tretë në SPAK, i dyti në radhë nga LSI, në lidhje me aferën e inceneratorëve, u bë me 4 mars 2021, tashmë për inceneratorin e Tiranës. Ku edhe në këtë kallëzim denonconte si të përfshirë ish-ministrin e saj Lefter Koka, si edhe kryetarin e bashkisë Tiranë Erion Veliaj, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Por LSI nuk u ndal këtu në kallëzimet e saj.

    Më 30 mars 2021, bëri një tjetër kallëzim në SPAK, këtë herë për inceneratorin e Elbasanit.
    Ku sërish në qendër të kallëzimit ishte ish-ministri Lefter Koka, që pasohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi si edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Edhe pse kjo mund të quhej një lëvizje politike në prag të zgjedhjeve parlamentare. Ndërkohë që Lefter Koka u përgjigjej akuzave të asaj që dikur ishte partia e tij se ato ishin thjesht akuzat e një partie të mllefosur ndaj tij dhe të etur për pushtet.

    ‘Të mbarsur me mllef ndaj më të mirëve, ndaj çdokujt që ka ditur t’ia dalë vetë. Ju besoni te intriga dhe te shpifja! Kulti juaj është mosmirënjohja dhe e keqja mishërohet veç te ju! Ju e dini dhe më njohët mirë, mua nuk më shqetësoni ! Në 25 Prill çerdhja juaj mbyllet”. Por tani që zgjedhjet e 25 prillit kanë kohë që kanë përfunduar, duket se afera e inceneratorëve ka zgjuar edhe SPAK. Dhe akuzat politike duket se i kanë lënë vend fakteve hetimore.

    Por kjo që sapo pamë është vetëm maja e ajsbergut të pahetuar të dosjes së inceneratorëve. Padyshim që arrestimi i një ish-ministri është një rezultat domethënës, por pyetjet vijojnë të mbeten. A ishte Lefter Koka i vetëm në atë që njihet si afera korruptive më e madhe e viteve të fundit?

    A mund të vepronte ai i vetëm? Faktet flasin që jo. Pasi në radhë janë edhe shumë emra të tjerë, ku SPAK duhet të na bindë se afera e inceneratorëve nuk kishte vetëm një emër të përveçëm, atë të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Dhe për këtë duhet të presim SPAK, se sa i besueshëm do jetë deri në fund të këtij hetimi, që ka trazuar dhe po vazhdon ta mbajë ende të trazuar politikën e ditës.
    Për të na davaritur tymin e inceneratorëve që u ndezën vetëm në letra


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark