
Në stacionin e autobusëve aty ku po dyshohet për një mjet shpërthyes tanimë ka dal edhe prokurori kujdestar.
Këtë për Insajderin ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda së bashku me njësitë tjera relevante ndodhet në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të verifikuar informatën lidhur me dyshimet për mjete shpërthyese”, ka thënë Ulaj.
Rastin më parë e konfirmoi për Insajderin edhe zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti teksa shtoi se kanë pranuar një telefonat anonime prej një person që e ka vendos mjetin shpërthyes në atë pjesë.
Ndërkohë i shqetësuar për rastin për Gazetën Insajderi ka folur edhe një dëshmitar i rastit, i cili është pronar i njërit prej lokaleve ushqimore në stacionin e Autobusëve.
D.M (emër i njohur për redaksinë) ka thënë se Policia kanë kërkuar që menjëherë t’a lirojnë lokalin. Sipas tij po dyshohet se mjeti shpërthyes ndodhet në brendi të Stacionit.
“Kanë ardhë policia në lokal na kanë thënë që duhet të largohemi kanë qenë bashkë me ekipet e forenzikës i kanë largu të gjithë edhe pasagjerët qa kanë qenë, të gjithë, thanë që po dyshojnë për një mjet shpërthyes. Qysh e kuptuam thanë që po dyshojnë që ndodhet në brendi të hollit të Stacionit të Autobusëve”, ka thënë ai për Insajderin.
Ekipet e Policisë së Kosovës ndodhen ende në vendin e ngjarjes.