
Agron Demi, drejtor i Institutit GAP, ka komentuar rreth zhvillimeve të fundit pas publikimit të lajmit se vëllai i kryeministrit Isa Mustafa ka kërkuar azil në Gjermani dhe Francë.
Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit i cili tha se publikimi i artikullit për vëllain e tij përbën shkelje të privatësisë, Demi ka thënë se është e papranueshme me e zhvendos debatin “prej kërcënimit që e ka bë Kryeministri, në debat se ju ka shkel e drejta e privatësisë Kryeministrit.”
“Këta lider politik që na fyejnë çdo ditë duke na quajtë zagarë, qenë bij të qenëve, me bisht nën shalë, e deri aty sa Kryeministri bëri fajtorë familjen e fëmiut i cili vdiq rrugës për në Hungari, sot akuzojnë se po ua prishim rehatinë”, ka shkruar Demi në Facebook.
Të dielën, Insajderi ka publikuar një artikull ku zbuloi se vëllai i kryeministrit Mustafa ka migruar ilegalisht dhe ka kërkuar azil në Gjermani e Francë për të kërkuar shërbim për një sëmundje.
Pas publikimit të lajmin, kryeministri Mustafa ka telefonuar autorin e shkrimit, kryeredaktorin e Insajderit Vehbi Kajtazi, të cilin e ka kërcënuar dhe ofenduar. Ai pretendon se në këtë rast i është shkelur e drejta e privatësisë vëllait të tij.
Por, Demi ka thënë se pengesa në punën e gazetarit do të duhej të nxirrte kryeministrin para drejtësisë.
“Në një vend normal, sot Kryeministri do të duhej të merrej në pyetje nga Policia e ti ngritej akuzë nga Prokuroria. Ish presidenti Nixon ishte detyruar të dorëhiqej nga Presidenca e SHBA edhe për faktin se është mundu të pengoj gazetarët e Ëashington Post që të mos shkruajnë për skandalin Watergate”./Insajderi.com