Gjini e ri-emëron drejtor komunal, Arben Bakallin, të akuzuarin për korrupsion - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjini e ri-emëron drejtor komunal, Arben Bakallin, të akuzuarin për korrupsion

    Insajderi
    24 December 2021 - 14:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini e ka emëruar sërish drejtor të Urbanizmit, Arben Bakallin. I njëjti ka aktakuzë aktive për korrupsion.

    Emërimi i Bakallit dhe drejtorëve të tjerë të kësaj komune është bërë i ditur përmes një shkrimi në Facebook.

    Por për çka akuzohet Bakalli?

    Arben Bakalli bashkë me arkitektin Agron Gojani akuzohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në aktakuzë theksohet se në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë e arkitektit në Drejtorinë për Urbanizëm, ku paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore duke lëshuar vendim me të cilën ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakia.

    Aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve t’u sjell dobi pasurore, në këtë rast Teuta Bakia si dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim me Planin Urbanistik, ku sipas projektit ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë gjelbëruese.

    Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli ka keqpërdorur detyrën e tij duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, ka nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakia, e më pas e ka lëshuar atë vendim për leje ndërtimore.

    Bakalli e Gojani ishin shpallur fajtor më 30 gusht të këtij viti nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

    Bakalli në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit është dënuar nga Gjykata Themelore me 1 vit burg dhe 3 mijë euro gjobë ndërsa, ndërsa arkitektin dhe ish-bashkëpunëtorin profesional të kësaj Drejtorie Agron Gojanin e ka dënuar me 1 vit burg dhe 2 mijë euro gjobë.

    E në fillim të këtij muaji, Gjykata e Apelit ka vendosur që lënda të kthehet në ri-gjykim në Gjykatën Themelore.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark