
Me rolin e saj në filmin e zhanrit horror “Bloodlands”, aktorja shqiptare Suela Bako është vlerësuar me çmimin si aktorja më e mirë në ‘Nashville Film Festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës’.
Ky çmim i ndarë për Suela Bakon vlerësohet të jetë tejet i rëndësishëm për aktoren shqiptare, duke pas parasysh se filmi ka pas për konkurrentë një përzgjedhje fantastike të filmave të tjerë që kanë qenë në garë në këtë edicion të këtij festivali.
Regjisori i këtij filmi Steven Kastrissios ka qenë i pranishëm në këtë festival, kurse për çmimin që i është ndarë Suela Bakos ka thënë se gjithmonë e ka ditur se Suela do të fitojë një çmim për punën e saj në filmin Bloodlands.
“Ishte vetëm çështje kohe”, është shprehur regjisori, duke kujtuar përvojën e tij përgjatë xhirimeve, ku sipas tij, Suela Bako kishte punuar shumë për të nxjerrë rolin e saj, ashtu sikurse edhe e kërkonte skenari.
“Bloodlands” shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj.
Atë e dëbojnë në mal, duke e quajtur shtrigë. E lënduar, e urryer dhe e dëbuar kjo grua vendos që të shndërrohet në një shtrigë të vërtetë dhe të marrë hakun për krejt dhimbjen që i kanë shkaktuar.
Aktorja Suela Bako luan rolin e nënës në një familje ku zhvillohen ngjarjet kryesore te filmit, ku një familjeje i duhet të përballet me mallkimet e një shtrige, shkruan KultPlus.
Ngjarja zhvillohet në Tiranë, ku familjet moderne tipike shqiptare bien pre e sulmit të vampirëve të udhëhequr nga shtriga, në rolin e së cilës paraqitet aktorja nga Kosova, Ilire Vinca.
Kasta e aktorëve është e gjitha shqiptare dhe i gjithë filmi shfaqet në gjuhën shqipe. Aktorët e tjerë që luajnë në këtë film janë Gëzim Rudi, Emiljano Palali dhe Alesia Xhemalaj.