
“Jemi shteti, hape krahun”. Kështu i janë drejtuar 4 të maskuarit që i prenë rrugën shoferit të kontejnerit me banane ku u gjetën 119 kg kokainë të nisura nga Amerika Latine drejt magazinave të kompanisë Zico Sh A në zonën e Vaqarit.
Gjithçka ka nisur në një nga portet e Ekuadorit. Droga u gjet pikërisht në kontejnerin me banane të nisur nga Amerika Latine dhe që kishte kaluar transit në portin e Goia Tauro në Itali. Autoritetet doganore në vendin fqinj kanë konstatuar se kontejnerit i mungonte plumbçja apo vula. Për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë vënë re mungesë të arkave me banane.
Pas kësaj kontejneri është mbyllur, riplumbosur. Kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas zhdoganimit dhe kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të Tiranës. Por në afërsi të fshatit Romanat në rrugën nacionale Durrës-Tiranë kamioni është ndaluar nga 3 persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe në kontejner dhe më pas janë larguar me shpejtësi.