
Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtit ka kundërshtuar vazhdimisht projektet të cilat lidheshin me krijimin e kapaciteteve të reja energjetike. Në Qeverinë Kurti 1 u refuzua projekti “Kosova e Re”, i cili pritej të realizohej nga “Contour Global ”, kompani amerikane dhe së fundmi Qeveria Kurti refuzoi edhe gazinsjellës, i cili pritej të financohej nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).
Për frymën kundër ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike nga ana e Qeverisë Kurti kanë folur akterë të opozitës, njëherit anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik.
Të njëjtit thonë se jemi në këtë gjendje krize energjetike për shkak të qasjes së Qeverisë Kurti.
Bernard Nikaj i PDK-së shprehet se Kurti duhet të lë anash mendësinë e vjetër duke kërkuar vazhdimisht për një fajtor, dhe të ofrojë zgjidhje.
“Kryeministri Kurti ka qenë në Qeverinë Kurti 1 kur përfundimisht është përmbyll çështja e “Contour Global -it”, kryeministri Kurti është në qeverisje kur hoqëm dorë nga diversifikimi i furnizimit përmes gazit prolonguam një proces dhe atë në mënyrë shumë banale përderisa sot Bashkimin Evropian e ka karakterizon gazi dhe energjia nukleare si dy resurset që mund të konsiderohen të gjelbra në kushte specifike. Kosova në një mënyrë nënshalante thotë skemi nevojë për disa gypa të cilët financohen nga Amerika dmth unë nuk i takojë asaj pjesë së spektrit që mundohet të kërkojë një faj, kjo është mendësi e vjetër politike në Kosovë, mendësia e re politike në Kosovë ka nevojë të gjejë zgjidhje, të ofrojë një vizion”, ka thënë Nikaj i PDK-së.
Lekaj i AAK-së deklaron se më paku ka të drejt Kurti t’i kritikojë qeveritë e kaluara për temën e energjisë, përmend kundërshtimet e vazhdueshme që kanë bërë.
“Sa i përket kryeministrit të Qeverisë së Kosovës z.Kurti mendoj që në këtë drejtim nuk ka të drejt sepse vet VV dhe lideri i saj z. Kurti kanë qenë kundër investimeve me energji ne e kemi Kosovën e Re, Contour Global që e kanë refuzuar e sidomos edhe rastin e fundit që e kanë refuzuar nga gazsjellësin amerikan në vlerë prej 200 milionë dollarëve nëse nisemi nga kjo mendoj që më së paku duhet Kurti, kryeministri të kritikojë sepse vet ka bërë protesta e ka kundërshtuar fuqishëm këtë dhe në këtë drejtim mendoj që derisa nuk ka një një strategji dalëse mendoj që është e kot që të bëjnë llafe dhe deri më tani kemi parë llafe tyre se sa ndonjë veprim konkret”, është shprehur Lekaj.
Kritika ndaj qasjes së Qeverisë Kurti ka pasur edhe kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Ferat Shala.
“Fryma kundër kapaciteteve të reja energjetike të reja ne vend është shumë më herët se sa kur është këputur kontrata me “Contour Global ”. Një periudhe pothuajse një dekadë, opozita e hershme në atë kohë VV dhe një pjesë e komuniteti të shoqërisë civile që tash janë të atashuar në VV, kanë qenë kategorik kundër me gjitha format vendore dhe ndërkombëtare, të paguara mirë, kanë lobu kundër projekteve energjetike të vendit që nënkupton kanë kriju opinion para kushte për të dështuar projekti në emër të gjithë mekanizmave mjedisore ndërkombëtarë, kur ne nuk jemi në asnjë prej këtyre mekanizmave që janë thirrë pjesëmarrës as obligativ e as zyrtarisht nuk pritet të jenë brenda deri në 2050-ën pra në esencë është një politikë e gabuar e rëndë që e ka dëmtuar ekonominë e vendit”, tha ai për InDoks prodhim i Gazetës Insajderi.
Sipas Shalës nëse qeveria Kurti nuk do t’i refuzonte projektet e tilla atëherë do të mund të ishim lider rajonal për energji.
“Po të ishin sot kapacitet energjetike të termocentralit të ri, ne do të ishim lider rajonal në energji në ekonomi sepse nuk ka ekonomi pa energjinë, sot do të ishim ndoshta eksportuesi më i madh në Ballkan, sot do të kishim qindra milionë euro depozitë në bankat tona e nuk do të kishim minus mjete duke importu nga Serbia dhe nga shumë vende tjera të rajonit energji, në Hungari apo shumë shtete tjera, pra në esencë dëmet janë bë shumë më herët po që fatkeqësisht për vendin, të njëjtit akterë sot po i paguan përmes nënshkrimeve të tyre, ato fatura këtë dëme, këtë import të energjisë pra kanë shkuar në drejtimin që praktikisht e kanë mbjellur vet këtë frymë dhe sot jemi para një alternative përsëri në pikën 0, opsionet alternative janë shfrytëzimi i kapaciteteve dhe resurseve minerale qysh janë linjiti që mund të bëhet me teknologji të avancuar”, theksoi Shala.
Ndërkohë, me projektin e “Contur Global” ishte paraparë ndërtimi i termocentraleve të reja. “Kosova e re”, që shihej si zgjidhje pasi që të zhbëhej pjesa shumë e vjetërsuar e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovë.
Në fund, kjo kompani amerikane u tërhoq nga projekti për “Kosovën e re”, kapacitetin e ri energjetik që proklamohej si zgjidhje afatgjate. Në mars të vitit 2020, kompania “Contour Global”, kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.
Edhe pse u tërhoq, një proces arbitrazhi kundër Republikës së Kosovës është iniciuar nga kjo kompani amerikane. Zhvillimet e fundit në proces kanë ndodhur në prill të vitit 2021, por dokumentet nuk janë bërë të qasshme për publikun.
Dokumentari i plotë: InDoks | Premtuesi i shpresës që riktheu terrin e pasluftës