
Tre persona janë lënduar si shkak i rrotullit të një autobusi në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, më konkretisht në fshatin Babush, shkak po del të jetë mos pastrimi i rrugëve nga reshjet e borës.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në këtë rajon, Kanun Veseli, i cili deklaroi se të lënduarit janë dërguar në qendrën emergjente në Ferizaj.
“Rreth orës 18:50 ka ndodhur një aksident komunikacioni në rrugën që qon për fshatin Mirash të Ferizajt nga rruga magjistrale Ferizaj Prishtinë fshati Babush, ku një autobus i udhëtarëve me targa vendore ka shkaktuar vetë aksident ( ka rrëshqit)me këtë rast janë lënduar 3 persona dhe janë dërguar në qendrën emergjente në Ferizaj”, ka thënë Veseli për Insajderin.
Ai shtoi se Njësitet e policisë janë në vendin e ngjarjes, dhe po e hetojnë rastin.
Ndërkohë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe kompaninë e autobusit “Azizi Tours”, të cilët e kanë konfirmuar rastin por kanë deklaruar se nuk ka të lënduar.
Nga kompania thonë se për shkak të rrugës së pa pastruar autobusi ka rrëshqitur anash dhe është rrotulluar.
“Rruga shumë e keqe, e ngushtë dhe e keqe, nuk ka pas asnjë të lënduar. Autobusi ka qenë ndalu por i ka rrëshqit rrota. Shyqyr prej Zotit nuk ka pas të lënduar”, thanë për Insajderin përgjegjës të kompanisë.