
Pasi Gjykata liroi të gjithë protestuesit tashmë hetimi është fokusuar në 2 drejtime.
Verifikimin e pretendimeve për përdorim gazi nga mbështetësit brenda selisë së Partisë Demokratike, shashka taktike shurdhuese, tymuese dhe bombola për fikjen e zjarrit.
Për këtë 5 mbështetës të Lulzim Bashës do vijojnë të hetohen me masë sigurie detyrim paraqitje.
Për disa orë selia e PD-së përfshirë oborrin u kthye në një skenë krimi ku janë sekuestruar qindra sende si shkopinj, shashka, materiale të punuara hekuri dhe gurë.
Ditën e ngjarjes u sekuestrua edhe një furgon që dyshohet se ka shërbyer për transportimin e materialeve të ndryshme por pa specifikuar se kujt pale, shkruan euronews.al.
Hetimi përmes pyetjes së personave që kanë dijeni për ngjarjen, synon t’i japë përgjigje edhe akuzave për sulm të organizuar mbi selinë e partisë demokratike duke siguruar mjete të posaçme për hapjen e dyerve.
Për këtë, 15 mbështetës të Berishës do hetohen me masë sigurie detyrim paraqitje ndërsa kryetari i PD dhe sekretari i përgjithshëm do të merren në pyetje të premten.