
Shënohet sot dita Botërore e Tuberkulozit, ku për synim ka të promovojë ndërgjegjësimin, njohuritë dhe motivimin për të vepruar kundër tuberkulozit në mbarë botën
Për të shënuar këtë ditë, sot pritet që të mbahen disa aktivitete, përfshirë shpërndarjen e porosive edukative e shëndetësore për tuberkulozin.
Dje, Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Shoqata e Pulmologëve të Kosovës organizuan një konferencë për media ku u tha se Kosova mbetet ndër vendet me numrin më të madh të rasteve me sëmundjen e tuberkulozit në rajon.
Megjithatë, numri i rasteve nga viti në vit po shënon rënie.
Për vitin 2015, në Kosovë janë shënuar 770 raste të prekjes nga kjo sëmundje ngjitëse.
Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse, që zakonisht prek mushkëritë. Por mund të prekë dhe organe të tjera, si trurin, veshkat, kolonën vertebrale.
Mikrobi i tuberkulozit përhapet nga njeriu i sëmurë me anë të ajrit, kur ai kollitet, teshtin apo edhe qesh.
Tuberkulozi sipas Ministrisë së Shëndetësisë mund të parandalohet dhe të mjekohet. Kjo sëmundje duhet të lajmërohet me kohë tek mjeku nëse ka ndonjë keqësim të shëndetit.
Megjithatë mjekimi kundër Tuberkulozit në Kosovë është falas.
Kjo sëmundje vazhdon të marrë miliona jetë njerëzish dhe të infektojë dhjetëra milionë të tjerë. Çdo vit sëmuren rreth 9 milionë njerëz dhe ndër ta, rreth 1.2 milionë vdesin./Insajderi.com