
Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar sot në Kuvendin e Kosovës se pret që çështja e kompensimit të dëmeve të luftës nga Serbia të bëhet temë e procesit të dialogut në Bruksel.
Ai këtë zotim e ka bërë duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alma Lama, e cila ka kërkuar të dijë se çfarë ka ndodhur me këtë proces që nga përfundimi i luftës.
“Çështja e kompensimit të dëmeve të luftës, që ka të bëjë me sistemin pensional, plaçkitjen e pensioneve, që kanë të bëjnë me banka, dëmshpërblimet e drejtpërdrejta të dëmeve në prona publike e private, në pronat e trashëgimisë kulturore, do të jenë çështje të cilat ne do të kërkojmë që trajtohen në procesin e dialogut”, ka thënë Mustafa para deputetëve.
“Në takimet në Bruksel në kuadër të dialogut ne kemi paralajmëruar edhe këtë çështje, si një prej çështjeve që ne duhet ta diskutojmë dhe si çështje për të cilën duhet të gjejmë zgjidhje”, ka shtuar ai.
Por, i pyetur nëse ka një vlerësim të përgjithshëm të dëmeve, Mustafa ka thënë se duhet bërë një vlerësim më i saktë i gjithë dëmeve që janë shkaktuar nga lufta e fundit./Insajderi.com