Gentjan Sula: Nuk di asnjë rrugë tjetër si mund të investoja më ligjërisht se sa kaq në Brezovicë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Gentjan Sula: Nuk di asnjë rrugë tjetër si mund të investoja më ligjërisht se sa kaq në Brezovicë

    Insajderi
    24 January 2022 - 17:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Investitori i ‘Stella Consulting’, Gentjan Sula rrëfen për të vërtetën e projektit të Brezovicës.

    “Asnjë mitmarrje dhe asnjë shkelje nuk është kryer nga kompania Stella”.

    Sula, një nder investitorët më të mëdhenj të turizmit në Shqipëri , tregon për Insajderin pse vendosi të investojë miliona euro në Kosovë dhe pse kompania është jashtë çdo përgjegjësie ligjore.

    Ai ka konfirmuar se që prej një viti kompania e tij ‘Stella Consulting’ është në një gjyq civil me kompaninë ‘QUKA NN’ me pronar Alban Qukën, për shkak siç thotë ai për mos përmbushjen e detyrimeve kontraktore e mashtrimit në faturim. Gjatë kësaj inverviste, biznesmeni nga Shqipëria tregoi edhe për shumën sa ka investuar deri tani në Brezovicë dhe sa parashihet të jetë investimi në total.

    Po ashtu Sula sqaron se a kishte kompania e tij leje vetëm për ndërtimin e ‘vikendicave’ apo edhe të një hoteli me pesë yje.

    Mes tjerash ai është shprehur optimist se investimi i tij në Kosovë nuk do të shkojë huq. ‘Besoj fort që institucionet e Kosovës do ndërhyjnë seriozisht duke na bërë të mundur lejimin e investimit qoftë edhe me ndryshime në projekt sipas dispozitave dhe rregulloreve për të cilat Ministria mendon që janë shkelur’, ka thënë Sula për InDoks prodhim i Gazetës Insajderi.

    InDoks | Elita e ryshfetit

    Intervista e plotë:

    Gazeta Insajderi Z.Sula, a mund të na tregoni se çka iu shtyu të investoni në Kosovë dhe pse bash në Brezovicë?

    Gentjan Sula: Pyetje për të cilën s’do di kurrë të përgjigjem shkurt dhe racionalisht por për të cilen ju garantoj që mungesën e sinqeritetit s’do ma falnin fëmijët e mi. 

    Së pari do doja të sqaroja me modesti që unë përfaqësoj një grup kompanish të cilat diversifikojnë në fusha të ndryshme por një nga kolonat strategjike tonat është zhvillimi i turizmit, ku kompania jonë ‘ATDG’, zhvillon dhe menaxhon me shumë sukses disa hotele dhe prona turistike në Shqipëri por ka filluar shtirjen strategjike edhe në disa vende të tjera të Ballkanit. Turizmi prej 15 vjetësh është parë nga grupi jonë zhvillimor si një fushë me interes strategjik të qëndrueshëm dhe kështu ne jemi ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri aktualisht në këtë fushë.

    Strukturat tona turistike shtrihen në të gjithë bregdetin shqiptar dhe tashmë edhe në Tiranë dhe kapaciteti aktual i shtretërve në Shqipëri është prej 1350 shtretër turistik të nivelit 4 dhe 5 yje. Ndërkohë ne kemi nën investim në Shqipëri dhe rajon afërsisht 3000 shtretër në nivel 4 dhe 5 yje në 3 vitet që vijnë.  E gjithë struktura jonë turistike bazohet mbi turizmin detar dhe shumë pak mbi turizmin urban dhe si rrjedhojë, konsulentët tanë ndërkombëtare çdo herë na theksonin se kishim nevojë strategjike investimin në turizmin e dimrit sepse vetëm në këtë formë mundeshim të balanconim strukturat e burimeve njerëzore dhe të gjitha vështirësitë që paraqet turizmi sezonal. Përveç kësaj tregu turistik shqiptar i mësuar të na adresohet për turizmin detar prej shumë vitesh na adresohet edhe për turizëm malor kështu që ishte e kuptueshme qe në planet tona të investimit strategjik të futej edhe turizmi malor. Produkti jonë turistik integrohej dhe si pasojë rrinte qëndrueshëm në treg. Kur flet për turizmin malor në rajon tregu është Greqia veriore, Maqedonia, Bullgaria dhe Kosova. Pavarësisht avantazheve t tregjeve në fjalë për arsye besimi në një treg të madh shqipfolës u zgjodh Kosova si vend ku duhet të investonim për turizëm malor. Aq më tepër që me këtë investim i kthenim Kosovës atë kontribut që kosovarët japin çdo ditë në zhvillimin e turizmit tonë detar.

    Brezovica në kuptimin e turizmit malor ishte një nga vendet që bazuar edhe në ftesat e qeverisë së Kosovës për investime të huaja ishte prioritet kombëtar për Kosovën menduam që kishim të gjithë mundësinë për të bërë një hap të shëndetshëm. Pra Kosova kërkonte investitorë të huaj dhe ne kishim interesa në zhvillimin e turizmit malor. 

    Gazeta Insajderi: Si vendosët që të bashkëpunoni me Veton Surroin, cili ishte/është raporti juaj?

    Gentjan Sula: Veton Surroi është mik i vjetër i imi dhe i familjes time. Raporti im me të është një miqësi e thellë.

    Gazeta Insajderi: Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore akuzoheni se keni degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica”. A ishit në dijeni që po ndërtoni objekte në një zonë ku është e ndaluar?

    Gentjan Sula: Së pari “ Stella Consulting “ nuk është shoqëri ndërtimore dhe nuk është pjesë e asnjë operacioni urbanistiko-ligjor apo teknik që ka të bëjë me realizimin teknik të ndonjë ndërtimi. Citoj dokumentin ligjor: Aktiviteti i kompanisë është këshillimi për biznese e menaxhim dhe aktivitete të tjera si hulumtim tregu, ndërmjetësim, agjenci e patundshmërive, menaxhim i patundshmërive në bazë pagesës  ose kontratës. Pra shoqëria nuk ka pasur kurrë qëllim të ndërtonte sepse po të kishte do e kishte vendosur në aktivitetet e saj ligjor.

    Së dyti “Stella Consulting “ nuk ka punësuar asnjë individ në Republikën e Kosovës, me përjashtim të njeriut që realizonte deklarimin e taksave dhe pagesën e tyre. Pra shoqëria nuk ka pasur asnjë njeri të paguar nga ajo për të degraduar mjedisin apo ndjekur jo ligjërisht lejet e ndërtimit dhe ska se si të këtë prodhuar shkelje ligjore pa asnjë kapacitet operacional.

    Së treti “Stella Consulting” si investitor i huaj ka përzgjedhur me metodë prokurimi të rregullt nga dy ndërrmarrje që operonin në fushën e ndërtimit në zonën e Brezovicës, kontraktorin e përgjithshëm që rezultoi me liri nga një proces prokurimi i dokumentuar: kompaninë kontraktore QUKA N.N

    Së katërti: Gjithë  investimin “Stella Consulting”, e ka realizuar mbi baza kontraktore, të cilat në mënyrë  eksplicite detajojnë shërbimet e kontraktuara  kundrejt çmimit për çdo shërbim. Ky çmim    përfshin të gjitha proceset e realizimit të një objekti të ri ndërtimor, duke filluar nga konsulenca tekniko-ligjore, përfaqësimi administrativ në procesin e nxjerrjes së lejes së ndërtimit dhe lejes së shfrytëzimit, zbatimin e  punimeve ndërtimore dhe në përfundim regjistrimin  e objektit  të ri në kadastër. Jo vetëm që kontrata deklaron çmimin e konsulencës dhe të çdo shërbimi të kontraktuar por në mënyrë eksplicite tregon edhe taksën e TVSH së paguar pranë shtetit të Kosovës nga shoqëria. Pronarët e  kompanisë nuk kane qenë kurrë në godinën administrative të Komunës përgjatë periudhës së realizimit të investimit, qoftë edhe gjatë zhvillimit të komunikimit admirativ për miratimin e lejeve, po ashtu edhe gjatë ndërtimit të objekteve apo përfundimit të regjistrimit të tyre në kadastër, për  arsyen e thjeshtë dhe të vetme se këto shërbime i kishte kontraktuar në të tretë.  

    Së pesti: Mekanizmi i realizimit të investimit ka qenë kontraktimi nëpërmjet kontratës me  kontraktorin e përgjithshëm më të lirë në zonë i cili merrte përsipër të kryente çdo shërbim dhe të përballonte çdo përgjegjësi për nxjerrjen e lejëve dhe ndërtimin e objektit, siç edhe është e pritshme për një investitor të huaj. E vetmja detyrë e kompanisë është të paguante situacionet e ofruesit të shërbimit dhe të huazonte fondet e nevojshme nga investitori huaj.

    Në lidhje me pyetjen nëse unë isha në dijeni të faktit që ‘Stella’, po investonte në zonë të ndaluar mund t’ju përgjigjëm me siguri të plotë që:

    1. Bazuar në informacionin e përgjithshëm që unë  kam, investimi ynë Meshtekna  nuk është në zonë të ndaluar por ai zhvillohet brenda zonës së lejuar për ndërtime, zonë e njohur për  përdorim të gjërë me objekte komerciale  dhe banesa turistike  ose  “vikendicave” siç njihen në Kosovë. Gjithë zona përrreth kompleksit Meshtenka  është një zonë e urbanizuar me vila turistike qysh në kohën e Ish –Jugosllavisë. Në dijeni time çdo veprimtari ndërtimore e zhvilluar në afërësi apo mbi rrjedhën ujore“ Përroi i Murzhicës”( si i tillë cilësohet në leje),  është kryer bazuar lejës së posaçme  dhe pëlqimit  ujor të lëshura nga autoriteti kosovar, Ministria e Mjedisit dhe  Planifikimit Hapësinorë.
    2. Unë nuk mund ta dija, nuk mund ta kuptoj as sot dhe besoj nuk e kupton dot asnjë investitor në botë se si ‘Leja e Ndërtimit’ e lëshuar nga organet e pushtetit lokal  nuk është dokument i mjaftueshëm ligjor për të investuar.
    3. Unë nuk mund ta di, nuk e kuptojë as sot dhe nuk e kupton dot asnjë investitor se si objektet të pajisura me leje shfrytëzimi dhe hipoteke dhe të cilat janë në shfrytëzim duke prodhuar taksa për Republikën e Kosovës mund të quhen investime në zone të ndaluar.

    Gjithsesi duke pasur respekt për Prokurorinë e Kosovës dhe sistemin gjyqësor të Kosovës mendoj që analiza e çështjes nga ana Institucioneve të Kosovës do qartësojë çdo gjë dhe ne më shumë modesti por njëkohësisht edhe respekt për institucionet presim që çdo gjë të qartësohet.

    Gazeta Insajderi: A kishte “Stella Consutling”, leje për ndërtim të vilave apo të një hoteli?

    Gentjan Sula: Stella Consulting ka pasur leje ndërtimi për çdo element të ndërtuar nga kompania ‘Quka NN’ dhe nuk kemi lejuar që ‘Quka NN’ të ndërtojë asgjë të pa përshkruar në lejet e ndërtimit. Me poshtë gjeni listën e plotë të lejeve të ndërtimit si dokumente finale prej të cilave buronte e drejta jonë plotë për të investuar dhe listën e dokumenteve ligjore sipas numrave të protokollit ligjor:

    1. Leje përdorimi  me AKTVENDIMIN nr.06-351/01-3752/18 datë 27.03.2018

    2. Leje ndërtimi Nr. 351-4328 dt. 13.06.2014, Nr. 351-4329 dt. 13.06.2014, Nr. 351-4330 dt. 13.06.2014,  Nr. 351-4332 dt. 13.06.2014, Nr. 351-4333 dt. 13.06.2014,  Nr. 351-4971 dt. 08.07.2014, Leje ndërtimi Nr. 351-4972 dt. 08.07.2014, , leje përdorimi  me AKTVENDIMIN nr06-351/01-3743/18 date 27.03.2018, Nr. 351-4973 dt. 08.07.2014, leje përdorimi  me AKTVENDIMIN nr.06-351/01-3745/18 date 27.03.2018, Leje ndërtimi Nr. 351-4974 dt. 08.07.2014, dhënë investitorit ‘Stella Consulting” për objektet T2/4, pajisur me  leje përdorimi  me AKTVENDIMIN nr.06-351/01-3741/18 date 27.03.2018, Leje ndërtimi Nr. 351-4975 dt. 08.07.2014, dhënë investitorit ‘Stella Consulting” për objektet T2/5, pajisur me  leje përdorimi  me AKTVENDIMIN nr.06-351/01-3739/18 date 27.03.2018, leje përdorimi  me AKTVENDIMIN nr06-351/01-3744/18 date 27.03.2018, 12.           

    Leje ndërtimi Nr. 351-8895 dt. 13.12.2014,  Nr. 351-8896 dt. 13.12.2014, Nr. 351-8897 dt. 13.12.2014, Nr. 06-351/02-12089/18 date 04.10.2018 .

    3. Pëlqim për ndërtimin  e kyçjes në ngastar kadastrale 5508 dhe 5509  nr.4278 date 15.09.2016

    Gazeta Insajderi: A jeni njoftuar personalisht apo nga mediat se ndaj jush ka një aktakuzë për investimin në Brezovicë?

    Gentjan Sula: Jam njoftuar korrektësisht nga Prokuroria e Ferizajt dhe gjykata atje dhe prej një viti e pak ndjek me korrektësi ekstreme duke udhëtuar dimër e verë, pavarësisht obligimeve personale apo edhe pandemisë seancat e analizës paraprake me shpresën se sa më shpejt do kemi mundësi të dorëzojë dokumentacionin që tregon që ‘Stella’ ska asnjë lidhje me këtë çka ka ndodhur në Brezovicë.

    Gazeta Insajderi: Si i komentoni pretendimet e prokurorisë se kompania juaj është e përfshirë në ryshfet?

    Gentjan Sula: Nuk e kam të drejtën të komentoj pretendimet e Prokurorisë së Ferizajt dhe nuk e konsideroj as morale dhe as formale komentin tim për këtë temë.

    Por, ama mund të komentoj mënyrën si është reflektuar në media emri im. Është plotësisht e pajustifikueshme dhe dënueshme ligjërisht si shpifje fakti që për hir të sulmit politik ndaj z.Surroi të përgojohet emri im. Dëshira për njollosjen publike të emrit të një investitori të huaj nga Shqipëria shkatërron klimën e investimeve të huaja në Kosovë, dëmton thellë marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës, shkel të drejta themelore dhe dëmton besueshmërinë e mediave të cilat e realizojnë këtë njollosje.  

    Gazeta Insajderi: Nënkontraktori juaj “Quka CO”, me pronar Alban Qukën përmendet për disa raste të ryshfetit, nëse konfirmohet se ai ka dhënë ryshfet a mbani edhe ju përgjegjësi?

    Gentjan Sula: ‘QUKA NN’ ka qenë kompania kontraktore e cila ka realizuar nëpërmjet një kontrate bazë dhe disa kontratave shtesë të gjithë investimin tonë në Brezovicë.

    ‘Stlella’ e organizuar vetëm në ofrimin e shërbimeve të këshillim biznesit dhe të investimit e menaxhimit  të pasurive të patundshme dhe pa kualifkimin dhe stafin e nevojshëm profesional dhe teknik  për të operuar në punime ndërtimore, ka kontraktuar këtë shërbim në  të tretë, me qëllim  zhvillimin ndërtimor të trojeve në pronësi të saj. 

    Në përmbushje të objektivit të saj, midis shoqërisë “STELLA CONSULTING” Sh.p.k dhe   Shoqërisë N.N “QUKA-CO”,  është lidhur kontrata nr.753 datë 18.06.2014 e ndryshuar me kontratën nr.233 datës 17.11.2014, nëpërmjet të cilës investori ‘Stella Sh.p.k”, ka  porositur të gjitha shërbimet teknike profesionale për realizimin e një objekti të ri “Kompleks  turistik” duke përfshirë përfaqësimin në të gjitha procedurat administrative leje dhënëse,  zbatimin e pavarur të  punimeve si dhe në përfundim të punimeve regjistrimin e objektit të ri  në kadastër. Marrëdhënia juridike e vendosur mes  palëve, gjen pasqyrim në Objektin e  kontratës – neni 1 i saj, ku ndër të tjera është përcaktuar detyrimi i kontraktorit për  realizimin e të gjitha shërbimeve  teknike, ligjore, konsulencës dhe përfaqësim për mbylljen e procedurave të fillimit dhe mbarimit të ndërtimit të objekteve, kundrejt vlerës 96 ‘000 euro.

    Pra në kushtet e një kompanie investitore që ska as kualifikimet teknike në Kosovë dhe as kapacitet operacional ne kemi blerë shërbim konsulencë për të gjithë procesin administrativ nga kontraktori jonë i vetëm në Brezovicë dhe kemi paguar edhe tatimin e vlerës së shtuar për këtë shërbim. Në këto rrethana s’kemi pasur asnjë arsye apo mundësi objektive të përfshiheshim në asnjë situatë operacionale që mund të ketë shkaktuar degradim mjedisor apo mitdhënie.

    Nëse ju investoni në një vend dhe prokuroni një kompani lokale për të kryer të gjithë  asistencën administrative para investimit, ndërtimin dhe me pas edhe asistencën administrative për lejën e shfrytëzimit dhe më pas paguani me rregull dhe sipas ligjit çdo detyrim që ju rrjedh nga kjo kontratë si mundet që me pas t’ju akuzojë dikush që ju keni degraduar mjedis apo dhënë ryshfet ndërkohë që skeni pasur as motiv dhe as mundësi fizik ta bëni, nuk mendoj që ju do kishit përgjegjësi për një marrëdhënie ku ju nuk jeni pjesë..

    Me gjithë koston e madhe morale që është ngarkuar mbi mua nuk di asnjë rruge tjetër si mund të investoja si investitor i huaj më ligjërisht se sa kaq.

    Gjetëm kontraktor me proces prokurimi për konsulencë para ndërtimi dhe për ndërtimin, u pajisëm me leje ndërtimi nëpërmjet kontraktimit të shërbimit nga kontraktori lokal. Supervizuam kontraktorin dhe nuk kemi lejuar asnjë fillim punimesh të punonte pa na paraqitur lejet e ndërtimit. Kontraktori në dijeninë tonë ka qenë korrekt me asistencën kundrejt nesh me lejet.

    Gazeta Insajderi: Pas publikimeve të aktakuzave a keni pasur kontakt me z.Qukën, a keni kërkuar shpjegim nga ai?

    Që prej një viti kompania ‘Stella Consulting’ është në një gjyq civil me kompaninë ‘QUKA NN’ për shkak  të   metave  të theksuara  në përmbushjen e detyrimeve  kontraktore, të mashtrimit në faturim , marrëdhënia  kontraktore midis  palëve  është aktualisht pjesë e proceseve  gjyqësore.

    Stafi im juridik po përforcon bindjen se  një nga arsyet kryesore për furtunën penale të hedhur mbi ne është pikërisht nevoja për manipulimin e çështjeve civile që kemi me këtë kontraktor. Pra duke qenë i qartë për përgjegjësitë civile që ai ka ndaj nesh po përpiqet të shantazhojë duke prodhuar kosto për kompaninë tonë dhe për shtetin e ri të  Kosovës 

    Gazeta Insajderi: Cili besoni se do të jetë epilogu i këtij rasti, a do të vazhdoni investimi tuaj në Brezovicë?

    Investimi im prej investitori të huaj që deri tani ka mbërritur në 4.5 milion euro dhe që ishte planifikuar të shkonte në 22 milionë do vazhdojë i pa shqetësuar. Praktikisht pjesa e vilave turistike është në shfrytëzim dhe ka interes të jashtëzakonshëm turistik nga turistët e Republikës të Shqipërisë si gjatë dimrit ashtu edhe gjatë verës. Ndërkohë pjesa e hotelit e cila është edhe zemra turistike e investimit dhe e cila do thithte gjithë pjesën tjetër të investimit prej 4 vjetësh rri e bllokuar në një gjendje që shëmton. Është e pabesueshme gjendja në të cilën është sot që ajo që mund të ishte sot një super investim dhe ti jepte Brezovicës edhe 300 shtretër të tjerë 5 yjesh, shtetit të Kosovës taksa dhe në shpërblimin e guximit për një investim të madh të bërë në një vend ku ska asnjë investim tjetër të ngjashëm nga investitorë të huaj nuk u bë ne kaq vjet që kur Qeveria e Kosovës fton investitorë të huaj për atje.

    I jam drejtuar disa institucioneve dhe do vazhdoj të bëjë detyrën time me shpresën që Shteti i Kosovës do vetëdijesohet për rastin tonë së për një rast trajtimi të pa tolerueshëm.

    Ndërkohë ‘Stella Consulting’, është duke pësuar humbje të rënda për hir të mosrealizimit të planit të biznesit nga faktorët që kemi përshkruar. Këto humbje evidentohen qartazi në bilancet e kompanisë dhe auditohen rregullisht. Unë si pronar i kompanisë kam pësuar një dëm të jashtëzakonshëm moral, psikologjik dhe financiar për hir të ndërprerjes së investimit dhe krijimit të një klime të tillë biznesi. Bankat që financonin projektin si pasojë e klimës administrativisht të paqartë janë në një proces të thelluar analize risku për gjithë klimën e investimeve të huaja në Kosovë. Besoj fort që institucionet e Kosovës do ndërhyjnë seriozisht duke na bërë të mundur lejimin e investimit qoftë edhe me ndryshime në projekt sipas dispozitave dhe rregulloreve për të cilat Ministria mendon që janë shkelur. Kjo do na lejonte të rikuperonim dhe të jepnim një shembull për gjithë investitorët e huaj sesi mundet që shteti i Kosovës në ekzekutiv dhe Gjyqësori i Kosovës  mund të garantojë investimet e huaja në Kosovë dhe si pjesë e kësaj investimet e shtetasve të Republikës së Shqipërisë në Kosovë.

    Sqarim: Përgjigjet e biznesmenit, Gentjan Sula për rastin Brezovica ishin paraparë të ishin pjesë e emisionit “Elita e Ryshfetit” të InDoksit por meqë ‘deadline’ kishte kaluar dhe vetëm pastaj janë pranuar përgjigjet, është vendosur që intervista të publikohet e plotë:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark