
Qasja e Qeverisë Kurti karshi dialogut me Serbinë po shihet si pozitive edhe nga Shoqëria Civile.
Kështu të paktën po vlerëson Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës. Sipas saj, Qeveria Kurti ka pasur një qasje pozitive për t’i paraqitur kërkesat e saj.
“Me ardhjen e qeverisë së re ne edhe kemi pritur që do të jetë një qasje e re ndaj procesit së dialogut Kosovë-Serbi sidomos duke marrë parasysh faktin që LVV si opozitë ka qenë shumë kritike ndaj procesit të dialogut dhe mënyrën se si qeveritë tjera e kanë udhëhequr këtë proces, prandaj kur kemi pasur dmth zgjidhjen e kësaj qeverie dhe takimet e para të dialogut veçse kemi parë që është një qasje e re. Qeveria ka shkuar në takimet e dialogut me disa propozime të tyre të reja, edhe pse ato nuk janë pranuar ka pasur dmth një insistim nga ana e qeverisë së Kosovës që ti shtyje përpara ato kërkesa që këta kanë besuar se mund të jenë më pozitive për ti paraqitur në procesin e dialogut Kosovë-Serbi”, tha Haxholli për InDoks.
Duke folur për Asociacioni, ajo thotë që nuk sheh ndonjë rrezik me krijimin e tij.
“Nga deklaratat publike të zyrtarëve qeveritar kemi parë se ata kanë gatishmëri që të marrin pjesë në një takim të ardhshëm të dialogut, pra ka gatishmëri nga pala e Kosovës që të marr pjesë në dialog qëndrime për asociacionin janë të natyrshme edhe qeveritë e kaluara kanë shfaqur një kujdes ndaj kësaj teme pasi që kjo temë është parë si diçka e paparashikueshme qeveritë, liderët politik kanë pasur kujdes se çfarë mund të sjell në të ardhmen nëse themelohet asociacioni i tillë çfarë është kërkuar nga pala serbe në Bruksel por besoj që pas gjykimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka vend për shqetësim, gjykata ka thënë që në rast të themelimit të asociacionit, statusi për themelim duhet ti adresojë të gjitha shkeljet që janë bërë më marrëveshjen e 25 gushtit”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i kanë porositur autoritetet kosovare se “të gjitha marrëveshjet e deritashme, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen”.
Të mërkurën, Kurti tha se Kosova nuk frikësohet për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin, porse Qeveria e tij është “e kujdesshme” dhe “mbron interesat e vendit”.
Në anën tjetër kryeministri Kurti para gazetarëve u shpreh se marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet.
“Marrëveshja duhet të arrihet. Jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, të bisedojmë për marrëveshje. Nuk bëjmë dialog për dialog. Jemi konstruktivë, jemi seriozë dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo, për të cilën po pajtohen gjithnjë e më shumë të gjithë faktorët ndërkombëtarë, e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë [edhe] presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti të mërkurën.
Dokumentari i plotë – InDoks | Zbutja e ‘Zajednicës’