
Ish-ministri i Punëve të Jashtme nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj e ka përgëzuar presidenten, Atifete Jahjaga që marrëveshjen për Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe të vitit 2015-të e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese.
Hoxhaj i ftuar në InDoks ka thënë se mendon që është meritë e ish-kryeministrave, Hashim Thaçi e Isa Mustafa që kjo marrëveshje ka përfunduar në Kushtetuese.
Dyshja sipas Hoxhajt janë shprehur të vendosur që nuk do të lejojnë pushtet tretë siç pretendonte pala serbe përmes Asociacionit.
“2015 unë nuk kam qenë ministër i jashtëm kam qenë vetëm deputet i Kosovës, dhe jam rikthy vetëm pas një viti në pozitën e ministrit të Jashtëm, ka qenë Thaçi së bashku me Mustafën. Kanë qenë në takime në Bruksel tash kush mund t’i ketë meritat individualisht nuk e di unë mendoj që është meritë e të dyve, dhe e kanë bërë super të qartë dhe të vendosur që të mos të ketë një nivel të tretë të pushtetit që të mos ketë një grumbullim apo më mirë me than një përqendrim dhe përgjegjësive që i kanë komunat me Pakon e Ahtisarit dhe të mos krijohet një ndarje institucionale territoriale, brenda Kosovës, dhe jam i bindur që këtë shqetësim e kemi pas na duke qenë në qeveri edhe më shumë se të tjerët që kanë qenë në opozitë dhe kanë bërë më shumë zhurmë”, ka deklaruar Hoxhaj për InDoks prodhim i Gazetës Insajderi.
“Në pikëpamjen time ajo që ka ndodhë në 2015 është më e madhe se sa e kem kuptu ndonjëherë drejt Kosova edhe kur ka qenë vetëm kauzë në vitet e 90’ kur kemi qenë vetëm entitet ndërkombëtar prej 2000 deri 2007 raportet me Serbinë i kemi pa si çështje të politikës tonë të jashtme apo më mirë me thanë të raporteve tona me botën e jashtme”, tha ai.
Sipas Hoxhajt opozita e atëhershme me Kurtin në krye ndikuan që politika e jashtme e Kosovës të pushonte.
“Dhe në 2015 me mënyrën se si opozita është sjellë me Asociacionin me Demarkacionin realisht e ka pushu politikën e jashtme dhe ajo u shndërru në një politikë të brendshme dhe dialogu u sistemu në akumulim se si ta largojmë Serbinë prej Kosovës, por narrativi dhe falsifikimi i fakteve dhe keqinterpretimit qëllimshëm për të ardhë në pushtet ka bërë që realisht prej 2015-16 ka pushu pa sheh raportin e saj me Serbinë si një çështje bilaterale si një çështje të politikës së jashtme kur veprimi matet në përputhje prej sukseseve që kanë qenë shpërbërja e strukturave paralele”, tha ish-kryediplomati.
Ish-ministri thekson se që nga viti 2015-të mundësitë për arritjen e një marrëveshje siç pretendohet me njohje të ndërsjellët ka pushuar së ekzistuari.
“Qëllimi drejt një marrëveshje të njohjes së ndërsjellët, të gjitha këto kanë pushuar së ekzistuari, prej 2015 ky vend sa herë fol për dialogun nuk fol për politikë të jashtme por në fakt fol për një temë të politikës së brendshme dhe unë mendoj që ky është mjerimi. Nuk i ndodh vetëm Kosovës por plot vendeve”, potencoi ai.
Dokumentari i plotë – InDoks | Zbutja e ‘Zajednicës’