
Qeveria vendos sanksione ndaj shtetit të Bjellorusisë
Përmes një postimi në faacebook, kryeministri Albin Kurti ka dhënë sqarime në lidhje me mbledhjen e 61-të qeverisë, ku dhe u nderua Epopeja e UÇK-së.
Përveç tjerash në këtë mbledheje qeveria ka vendosur sanksione ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve Bjelloruse të ndërlidhura me regjimin e Presidentit të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, shkruan Insajderi.
“Për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian ndaj regjimit të Presidentit të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, vendosëm sanksione ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve Bjelloruse të ndërlidhura me këtë regjim.”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Postimi i plotë:
“Fjala ime hyrëse në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës:
http://kryeministri.rks-gov.net/adresimi-i-kryeministrit…/
Në këtë mbledhje të 61-të, në nderim e kujtim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që e bëri bashkë popullin dhe e ndryshoi historinë, themeluam Këshillin Organizativ për manifestimin gjithë popullor, për shënimin e Epopesë së UÇK-së, për datat 5, 6 dhe 7 mars 2022.
Kujtimi për dëshmorët e martirët na rikujton që ne duhet të qëndrojmë, të mos dorëzohemi e ta ndërtojmë Republikën që ua kemi borxh.
Në kuadër të raporteve të mira ndërshtetore dhe qëllimit të përbashkët për të lehtësuar jetën e qytetarëve tanë, po realizohet njohja e patentë-shoferit për shtetasit e Kosovës në Kanada dhe Turqi.
Inicuam negocimin e marrëveshjes financiare me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila do t’i sigurojë Kosovës 6,31 milionë euro, e që do të dedikohen për efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme të energjisë në vendin tonë.
U hapëm rrugë marrëveshjeve për fondet IPA, nga të cilat Kosova do të përfitojë mbi 134 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Fonde këto të dedikuara për projekte për zhvillim gjithëpërfshirës socio-ekonomik.
Për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian ndaj regjimit të Presidentit të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, vendosëm sanksione ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve Bjelloruse të ndërlidhura me këtë regjim.”