Tentimi për cenzurim të medias, ‘atak’ i fortë në procesin e integrimit evropian - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Tentimi për cenzurim të medias, ‘atak’ i fortë në procesin e integrimit evropian

    Insajderi
    11 February 2022 - 09:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tendeca për të ndërhyrë apo për të pasur çfarëdo impakti në punën dhe lirinë e medias është tejet e papranueshme dhe bjen ndesh me procesin integrues të Republikës së Kosovës, proces që tash e ca vite ka ngecur në saje të politikës destruktive dhe të pa menduar mirë. Kapitulli 10 i legjislacionit të Bashkimit Evropian, respektivisht pika që i referohet “Shoqërisë së informacionit dhe medias”, na obligon trajtimin dhe implementimin siç duhet të saj, në të kundërtën asessi të kalohet në hapat e mëtutjeshëm.

    Objektivi i “acquis communautaire” për shoqërinë e informacionit është të sigurojë liberalizimin e shërbimeve dhe rrjeteve të komunikimeve elektronike, të eliminojë barrierat për funksionimin efektiv të tregut të vetëm dhe të krijojë shërbime moderne që do të jenë të disponueshme universalisht. Komponenti i dytë i kapitullit, acquis në fushën e medias, synon të sigurojë lëvizjen e lirë të shërbimeve mediatike audiovizive brenda BE-së. Në këtë kontekst, për të maksimizuar përfitimet e ekonomisë dixhitale, Bashkimi Evropian inicioi një proces që buronte nga objektivi i shoqërisë së informacionit në Strategjinë e Lisbonës në fillim të viteve 2000 dhe më pas u shndërrua në objektivin e agjendës dixhitale brenda fushëveprimit të Evropës, “Strategjia 2020”. Pra me këtë rast synohet krijimi i një tregu unik dixhital, i cili është ndër 10 prioritetet kryesore të Komisionit Evropian.

    Edhe në rekomandimet e dalura nga Agjenda Evropiane në secilin vit specifikohet që mediat duhet të jenë të lira, të pavarura dhe të veprojnë në harmoni me statutin e brendshëm, pa ndërhyrje. Kjo kërkesë përsëritet në vazhdimësi në Raportet e Progresit që Komisioni Evropiane nxjerr në pah pas analizës së progresit në secilin vit. Ndërsa këto ditë vendi ynë ka dhënë një mesazh jashtëzakonisht të keq në aspektin ndërkombëtar. Eksponentë të pushtetit dhe rrethi i tyre ka dhumbuar mediat, veprim që dëmton rëndë imazhin tonë si shtet, dhe si i tillë mund të na kthej disa hapa mbrapa nga neglizhenca e veprimet tendencioze.

    Eurodeputetja Viola von Cramon këto ditë ka mbajtur një fjalim në Parlamentin Evropian që për shoqërinë tonë duhet të jetë shqetësuese. Disa edhe mund të mos e marrim me shqetësim, por është tejet shqetësues. Çdo fjalim kundër nesh, është “atak” në procesin integrues. Ndërsa këto fjalime në raste të caktuara spektri ynë politik po i stimulon me ose pa dashje. Ajo në prani të 750 euro-deputetëve tha që “Media e lirë është njëra nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t’u shprehur pa ndonjë frikë. Për këtë jam duke monitoruar nga afër kampanjën denigruese të organizuar kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit. Kosova ka shërbyer si shembull për një ambient pluralist, ne do të dëshironim të shihnim standardet e BE-së të shprehjes së opinionit të qëndrojnë të mbështetura dhe gazetarët të mbrohen nga presioni politik”.

    Me këtë rast, autoritetet kosovare duhet më shumë se asnjëher më parë të jenë vigjilent në atë se ç’po deklarojnë. Duhet me ose pa vullnetin e tyre të ndalojnë sulmet denigruese e tendencioze të vartësve të tyre dhe të familjarëve të tyre sepse kjo na dëmton në tërësi. Ngecja e procesit integrues na dëmton të gjithëve, jo vetëm ata të cilët drejtojnë shtetin. Demokracia lejon lirinë e shprehjes të të gjithëve, prandaj duhet të respektohet si e tillë. Muajve të fundit ka pasur fushata denigruese por edhe veprime përmes shfrytëzimit të pozitës për të penguar lirinë e medias në vendin tonë. Por, nëse ne ende mendojmë për integrim euro-atlantik, duhet të mendojmë e veprojmë si evropian, asessi ndryshe!

    Elbasan Osmani – Studiues dhe njohës i Politikave të Bashkimit Evropian.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark