
“Besoj një mësim që ne e kemi mësuar në Kosovë kolektivisht e është “kurrë mos thuaj nuk ka ma keq”, kështu ka thënë anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bernard Nikaj teksa po komentonte një vit të Qeverisë Kurti 2.
Nikaj i ftuar në InDoks të Gazetës Insajderi është shprehur se Kurti dhe qeveria e tij janë marrë më shumë me vetën sesa mirëqenien e qytetarëve.
“Në këtë vit ne kemi parë një Qeveri që nuk është marrë me qeverisje në aspektin e përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarit, i cili ishte premtimi kryesor në fushat, por më tepër është marrë me vetveten me akomodime, emërime, shkarkime dhe ka reaguar ndaj krizave të cilat kanë ndodhur”, tha Nikaj.
Sipas tij kjo qeveria ka dështuar thuajse në gjitha fushat. Theks i vë pandemisë e së fundi energjisë elektrike.
“Kemi parë një qeveri e cila ka qenë total neglizhente ndaj problemeve serioze që ka pasur Kosova në këtë njëvjeçar. Mënyra se si është menaxhuar pandemia, sigurimi i vaksinave deri te masat që janë ndërmarrën për të kontrolluar shpërndarjen e virusit, mënyra e menaxhimit të krizës energjetike, kësaj qeverie i janë dashur katër muaj për të kuptuar se ka krizë energjetike, mënyra se si është menaxhuar politika e jashtme. Besoj një mësim që ne e kemi mësuar në Kosovë kolektivisht është “kurrë mos thuaj nuk ka ma keq” sepse këtu në mënyrë të vazhdueshme na është dëshmuar se ka më keq”, ka deklaruar ai.
Bernard Nikaj, një ish-ambasador i Republikës, sot pjesë e PDK-së në opozitë thotë që edhe kur tenton, nuk gjen diçka pozitive për t’ia përmendur Kurtit për një vit.
Ai ka shumë kritika për Kurtin, që për pak muaj i ra që ta kishte edhe shef.
“Po besoj që nëse marrim analogjinë e basketbollit qeveria më shumë ka bërë gabime në hapa se sa që ka luajtur në këtë një vjeçar, sepse e kemi parë një qeveri pa qeverisje, do të thotë edhe sot vazhdojmë të kemi një strukturë qeveritare e cila ka njerëz në institucione por që nuk qeverisin, do të thotë në këtë një vjeçar ne kemi vështirësi të theksuar që të shohim ndërtimin e çfarëdo vizioni në cilindo dikaster të Qeverisë së Kosovës”, tha Nikaj.
Dokumentari i plotë: Nga kriza në krizë – një vit nën ‘regjimin’ e Kurtit e Osmanit