
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se zhvendosja e debatit për Ligjin e Pagave në media, pa ndodhur dialogu i mirëfilltë me partnerët institucionalë dhe me Kuvendin, e minon këtë proces që nisje.
“Zhvendosja e debatit për Ligjin e Pagave në media pa ndodhur dialogu i mirëfilltë me partnerët institucionalë dhe me Kuvendin e minon procesin që në nisje. Mos reflektimi në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Institucionet e Pavarura Kushtetuese, është tendencë e qartë për ta dështuar ligjin. Madje, edhe vetë shtojca 8, paga e drejtuesit të lartë në ministri, është më e madhe se në Agjencitë e Pavarura Rregulluese”, ka shkruar Tahiri.
Sipas Tahirit, në Ligjin e Pagave duhet të ketë kujdes të shtuar te shtojca e arsimit, shëndetësisë dhe policisë.
“Në veçanti, akomodimi i nivelit politik dhe problemet tek shtojca e arsimit, shëndetësisë dhe policisë duhet pasur kujdes dhe reflektuar seriozisht. Është e rëndësishme që parashikueshmëria e pagës, të mos rrezikohet në procesin e amandamentimit, çështje që asokohe është hequr gjatë dy leximeve, përkundër insistimit tim dhe qeverisë. Duke qenë se ky proces konsolidon themelet e pagesës për administratën shtetërore, por edhe mishërimit me këtë çështje, kemi gjithë përkushtimin për të kontribuar që ky ligj të dalë në dritë”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri ka propozuar disa pika të cilat thotë se duhet të jenë të domosdoshme në Ligjin e Pagave.
“Si kontribut të parë dhe rekomandime, vlerësoj të domosdoshme: – Të rritet vlera e koeficientit; Procesi të komunikohet qartë që të mos krijohen paqartësi dhe rritje të hendekut me përfaqësuesit sindikalë; Palët të nisin dialogun serioz mbi parimet e qarta që rregullojnë procesin; Problemet e identifikuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të reflektohen në tërësi; Të reflektohen pikëpamjet e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë: BE, SIGMA, Banka Botërore dhe profesionistëve të çmueshëm në administratë; Të diskutohet me opozitën për t’i informuar mbi procesin dhe zgjerimin e konsensusit mbi një proces vital sikurse ky i Ligjit të Pagave”, ka shkruar Tahiri në Facebook.