
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në kohën kur ishte në opozitë si lider i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e njihte pavarësinë e Kosovës duke e cilësuar si të pa substancë.
Madje ai pati deklaruar se nuk ka arsye për të fëstuar, shkruan Gazeta Insajderi.
Në një intervistë për Top Chanel pesë vite më parë, Kurti ka pohuar se Pavarësia e Kosovës ka ardhur pikërisht nga protestat e 10 shkurtit 2007 të organizuar nga Vetëvendosje.
Por siç kanë shkuar punët prej asaj kohe, Kurti kishte deklaruar se situata në Kosovë është aq e keqe sa ai nuk gjen arsye të festojë Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
“Kosova nuk ka fituar substancë të pavarësisë, vazhdon të mbetet vendi me papunësinë dhe varfërinë më të madhe në Evropë, ndërkohë që nuk e kemi bashkuar Mitrovicën dhe nuk po lejohet bashkimi i ushtrisë në Kosovë që do të mundësonte edhe integritetin territorial”, ka thënë Kurti, i pyetur nëse ka arsye të festohet Dita e Pavarësisë.
“Politikanët shqiptarë kanë qenë nganjëherë naiv, nganjëherë moskokëçarës dhe shpeshherë të korruptuar dhe të shantazhuar dhe na kanë sjellë në një situatë ku 9 vite pas shpalljes së pavarësisë nuk po mund të festojmë siç duhet”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë sot, kur ai është në krye të Qeverisë së Kosovës, ka dalë për të manifestuar pavarësinë e Kosovës në sheshet e Prishtinës duke u përkulur para flamurut të Kosovës që dikur nuk e pranonte./ Gazeta Insajderi/