Invalidi i luftës: Jeta e ushtarëve të humbur është e vlefshme sa liria e Kosovës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Aktuale

    Invalidi i luftës: Jeta e ushtarëve të humbur është e vlefshme sa liria e Kosovës

    Insajderi
    17 February 2022 - 18:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Invalidi i luftës Musa Gjakova ka thënë se emocionet në festën e pavarësisë janë gjithmonë të forta, por asnjëherë si ato të 17 shkurtit 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran.

    “Lufta e lavdishme e UÇK-së u kurorëzua me Ditën e Pavarësisë me përpjekjet e mëhershme brez pas brezi për këtë ditë, por mos t’i lëmë anash edhe miqtë ndërkombëtarë që në rrugëtimin tonë për pavarësinë dhe lirinë e Republikës së Kosovës ishim dhe jemi bashkë. Emocionet janë, si çdo qytetar, e kemi një ditë, e cila dallon nga dita e parë kur ne ishim me emocione tepër të fokusuara në kujtimet dhe veprimet tona që sakrifikuam dhe kontribuuam për të ardhur deri te ajo ditë. Për mua është një ditë që nuk harrohet kurrë, por sot dallon shumë në raport me krejt ndjesinë e shumëpritur. Sot Kosova ka arritur të festojë në gjithë territorin, të jemi të organizuar duke iu përkulur të gjithë atyre që kontribuuan për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës”.

    Ai, në “Info Magazine” të Klan Kosovës, risolli kujtimet nga koha kur ai dhe shumë bashkëluftëtarë të tij ishin plagosur rëndë.

    “11 prilli është datë për ne domethënëse. Në këtë datë është vrarë edhe heroi jonë Agim Ramadani. Unë edhe Fatmiri edhe pse ishim në distancë të veprimit luftarak ne atë ditë as që e kemi menduar që do të plagosemi, sepse ishim të preokupuar me veprimet konkrete ku u tregua edhe rezultati jonë duke ecur përpara me një ofensivë goxha të rreptë ku depërtuam në thellësi të Kosovës, aq sa habitem me vullneti dhe përgatitjen e ushtarëve. Emocionet ishin të mëdha, sepse pati të plagosur dhe humbëm edhe ushtarë. Nga data 9 prill kur filloi beteja nuk ishim aq të përgatitur që ushtarët që vriteshin në betejë janë jashtë rreshtit. Jeta e tyre është aq e vlefshme sa liria e Kosovës”.

    “Unë u plagosa në një pjesë të frontit larg. Më kanë dërguar në spitalin e ‘Bajram Currit’ ku i jam falënderues gjithë ekipit të mjekëve që e bënë të pamundurën për shërimin e pjesëtarëve të UÇK-së. Mjekët kishin vendosur që ne që ishim rëndë të plagosur të na vendosin në një pjesë tjetër, derisa ushtarëve që ishin më pak të plagosur t’i jepej ndihma. Fatmiri ishte pa vetëdije. Herë pas herë edhe unë e humbja vetëdijen. E kisha pranë vetes të shtrirë dhe mendoja që me plagët e tij të rënda e ka shumë vështirë që të mbesë gjallë”.

    Ish-komandanti i UÇK-së është shprehur i pakënaqur me trajtimin e invalidëve të luftës nga shteti.

    “Ne si Kosovë trajtimin e duhur të invalidëve të luftës nuk e kemi bërë si shoqëri. Rrjedhin shumë pyetje se pse ndodhi kjo, ose pse nuk fillon një iniciativë e tillë. Unë jam shumë kritik pse paga e invalidit të luftës të jetë në skemën sociale. Nëse duam të kultivojmë vlerën ashtu si duhet, invalidi i luftës duhet të jetë me një status të veçuar të shoqërisë së Kosovës. Është realitet i hidhur”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark