Kurti i kërkon senatores amerikane mbështetje për forcimin e energjisë së ripërtërishtme - Insajderi
×
  • Lajme
  • Aktuale

    Kurti i kërkon senatores amerikane mbështetje për forcimin e energjisë së ripërtërishtme

    Insajderi
    19 February 2022 - 11:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Partneriteti strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rritja e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, ishin tema bosht të takimit, që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati me senatoren nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst.

    Në këtë takim që u zhvillua në margjina të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ai falënderoi senatoren Ernst, veçanërisht për përkrahjen dhe ndihmën që ShBA-të dhe shteti i Iowa-s i ka dhënë Kosovës, për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Jemi krenarë për bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes”, tha kryeministri Kurti. Ai shtoi se ishte kënaqësi e madhe që gjeneralmajor Corell nga Garda Kombëtare e Iowa-s ishte në Kosovë për Ditën e Pavarësisë.

    Senatorja amerikane konfirmoi mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës, përtej partneritetit ushtarak, në të gjitha fushat zhvillimore.

    Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë, kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret avancimin e bashkëpunimit me Iowa-n, shkëmbimin e praktikave, veçanërisht në ekonomi, bujqësi, mjedis e energji të ripërtërishtme.

    Kryeministri theksoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm për avancimin e FSK-së në një ushtri moderne, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për integrim në aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në rajon dhe botë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark