
NO RECESS është platforma më e re e muzikës në Prishtinë, e lansuar spontanisht por me qëllim që të zhvillohet në projekt të qëndrueshëm dhe afatgjatë, shkruan KultPlus.
Prej 15 deri më 21 maj në HAMAM Bar Prishtina organizohet NO RECESS Live Music Festival, eveniment 7 ditor i cili do t’i sjellë para publikut shtatë performanca live (nga një për çdo mbrëmje të festivalit) të artistëve alternativ muzikor ndërkombëtar dhe vendor.
Hapjen e këtij festivali do ta bëjë “Desert Mountain Tribe”, njëri ndër bendet më eksplozive të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, të cilët janë në tur evropian duke promovuar albumin e tyre të parë “Either That Or The Moon”.
Kurse më 16 maj NO RECESS prezanton koncertin e trios nga Amsterdami “MY BABY”, tingujt blluz dhe funk të të cilëve kanë pushtuar botën. Për të vazhduar më 17 maj më RiB, surf rock trio nga Shkupi, të cilët sapo lansuan albumin e tyre të dytë “Bliss”. Kurse me 18 maj Bledi Boraku dhe Dritëro Nikqi, bashkëpunëtorë të shpeshtë muzikor nga Tirana dhe Prishtina, vijnë në NO RECESS me një duo performancë speciale, vetëm një muaj pas lansimit të albumit fenomenal të Borakut “Tha”, të miksuar dhe prodhuar nga Nikqi. E më 19 maj vijnë “Stray Dogg” nga Serbia më 19 maj.
20 maji sjellë grupin “Transformer” i cili u krijua në vitin 2005 dhe fitoi reputacion për shfaqje fenomenale skenike, të kombinuara me dance tinguj dhe energji të pashtershme.
Për të mbyllur festivalin do të performojnë grupi “Tetris” më 21 maj. Ky grup i artistëve në Prishtinë, krijojnë audio ambiente mbi fraza hipnotike të sintave të shumtë dhe basit të thellë. Line-up që ndryshon tërë kohës nuk heziton të manipuloj analogisht kitaret e zhurmshme, piano klasike dhe ritme monotone, duke shtuar ngjyrë performancave të tyre të paparashikueshme dhe (shpesh) eksplozive. Grup ky i cili përbëhet nga Vigan Nimani – tastierë, Burim Gora – kitarë, Edmond Krasniqi – kitarë dhe Bujar Sylejmani – bass.