
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka reaguar shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, pasi tha se mediat në Kosovë ngjasojnë me kompani të kriminalizuara.
AGK ka dënuar gjuhën e Dalipit duke thënë se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme, dhe thirrje e hapur për linçim.
“Gjuha e zotit Dalipi është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetarit në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Reagimi i plotë i AGK:
AGK-ja dënon sulmin e shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipi ndaj medieve
Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, sot ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato.
AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme, dhe thirrje e hapur për linçim.
Gjuha e zotit Dalipi është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetarit në vend.
#SafeJournalists