
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca është takuar me ish bashkëpartiakun e tij Visar Ymeri. Jo për ndonjë bashkëpunim partiak por kësaj radhe për të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës.
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës, që përcakton modalitetet e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të komunikimit të ndërsjellë për çështjet që lidhen me monitorimin e politikave sociale në këtë institucion.
Kjo ngjarje ka bërë që ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili e drejton institutin “Musine Kokalari” të ritakohet me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
“Me këtë memorandum, pos tjerash, Kuvendi merr përsipër të ofrojë qasje në të dhëna publike sipas legjislacionit në fuqi për monitorimin e politikave sociale, ndërsa Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari do të ofrojë rekomandime, asistencë dhe ekspertizë për komisionet relevante të Kuvendit që lidhen me politikat sociale”, thuhet në njoftimin e këtij instituti.