
Pak më parë, kryeministri Albin Kurti ia ka përsëritur presidentit serb që qeveria e Serbisë duhet të bëjë një kërkesë qeverisë së Kosovës, përmes së cilës kërkojnë që të lejohet votimi i serbëve të Kosovës për zgjedhjet në Serbi, shkruan Insajderi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”. Vuçiq ka thënë se Serbia nuk ka pranuar të bëjë diçka të tillë.
Ai tha se sot për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.
Por pak minuta pas deklaratës së tij, Kurti për RTK-në tha se komunikimi duhet të behet qeveri me qeveri.
“Për tu bërë ajo marrëveshje letren e kërkeses ne e presim nga Qeveria e Serbisë, ai që është i interesuar për një gje e bën kërkesën. Komunikimi duhet të bëhet qeveri – qeveri”, tha Kurti.