
Kastrati Group dhe Grupi Balfin i janë futur tregut mediatik në Shqipëri.
Oligarku shqiptar, Shefqet Kastrati, kompania e të cilit mbledh taksën prej 10 eurove që paguajnë kosovarët të cilët udhëtojnë drejt Shqipërisë (5 euro një drejtim), raportohet se i ka blerë 60% të aksioneve të Euronews Albania.
Ndërsa Grupi Balfin (Balkan Finance Investment Group SHPK), që është në pronësi të miliarderit shqiptar, Samir Mane, ka njoftuar pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi transaksionin e përftimit të kontrollit të shoqërisë SCAN SHA, me veprimtari radiotelevizive, të fokusuar për ekonominë.
Grupi Balfin hyn në tregun mediatik, blen televizionin SCAN
Kjo është hyrja e parë e grupit Balfin në tregun mediatik në Shqipëri. Më herët, aksioneri i Balfin, Samir Mane, kishte pasur aksione (2.97% të kuotave) në operatorin televiziv me pagesë Digit-Alb, por që i ka shitur në fillim të vitit 2021, sipas veprimeve të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
“Grupi BALFIN ka vendosur të blejë aksionet e TV Scan në fillim të këtij viti. Ashtu si edhe për investimet e tjera të grupit, pritshmëritë janë të mëdha. Televizioni do të vijojë që të mbajë të njëjtin profil, duke e parë dhe duke e trajtuar informacionin nga këndvështrimi i ekonomisë, por tashmë do të ketë më shumë mundësi për ta kryer më mirë funksionin e tij në të mirë të publikut”, tha Agim Fjolla, drejtor komunikimi i Grupit Balfin.
“Ambicia e Grupit BALFIN është ndërtimi i një medie që të trajtojë çështje ekonomike dhe të lidhura me biznesin duke ofruar informacion të plotë, profesional dhe të pa-anshëm nga Shqipëria dhe rajoni. Nga ana e Grupit BALFIN janë nënkontraktuar ekspertë të huaj, që do të bëjnë riorganizimin e televizionit për t’ju përgjigjur sa më mirë pritshmërive të një televizioni rajonal kushtuar çështjeve të ekonomisë dhe të biznesit”, shtoi ai.
Grupi Balfin, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, banka, është i dyti më i madh në vend sipas qarkullimit vjetor. Të ardhurat e kompanive kryesore të grupit në Shqipëri, ishin 36.7 miliardë lekë në vitin 2020. Një pjesë të rëndësishme të aktivitetit, grupi e ka jashtë vendit. Gjeografikisht, Grupi BALFIN është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Holandë.
SCAN SHA është një shoqëri aksionare, ka objekt aktiviteti: veprimtari radiotelevizive dhe përgjithësisht çdo operacion financiar, tregtar, industrial me pasuri të paluajtshme, që mund të lidhet drejtpërsëdrejti ose tërthorazi me ushtrimin e veprimtarisë radiotelevizive.
Scan është themeluar në vitin 2001, sipas ekstraktit të QKB-së dhe fillimisht ishte me emrin Mediasat. Në 2009-n filloi aktivitetin si radiotelevizion ekonomik, me emrin Scan. Televizioni kishte të ardhura prej 136 milionë lekësh në vitin 2020 dhe një fitim prej 550 mijë lekësh, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në QKB.
Autoriteti i Konkurrencës ka vlerësuar se ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës dhe fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Lëvizja e madhe në tregun mediatik/ Marrin fund thashethemet, Kastrati zyrtarizon blerjen e 60% të aksioneve të Euroneës Albania
Kastrati Group është bërë sot zyrtarisht pjesë e Intermedia Group me 60 % të aksioneve ndërsa 40 % të aksioneve i mbetet Theodhori Çamit. Kompania e njohur për suksesin e saj në investime në fusha të ndryshme e ka shtrirë ambicien e saj dhe në tregun mediatik duke u bërë zotëruese e aksioneve të një prej televizioneve më të suksesshme në Shqipëri.
Intermedia group është një kompani mediatike pjesë e të cilit janë edhe Euroneës Albania, Kosova e Maqedonia e Veriut si franchise i parë në historinë e familjes së madhe të Euroneës Group, media informative Nr. 1 në Europë.
Me një investim kurajoz dhe të pazakontë në rajon, si në teknologji ashtu edhe në burime njerëzore, Euroneës Albania, vetëm në 2 vjet ka arritur të jetë jetë pararojë e një revolucioni mediatik, i shumëkërkuar nga qytetarët dhe investitorët në Shqipëri.
Ky bashkim profesional do të shoqërohet me një plan të ri investimesh, që ka si qëllim të parë, ngritjen dhe zhvillimin me të njëjtën ambicie profesionale edhe për Euroneës Kosova dhe Euroneës Maqedonia e Veriut, ku do të zgjerohet projekti shqipfolës.
Kastrati Group është një kompani lider në rajon në shumë fusha, kryesisht në atë të energjisë por jo vetëm, me seli bazë në Shqipëri. Kompania e themeluar në fillim të viteve 1990, përmes rrjeti dhe zyrave përfaqësuese është e mirëpozicionuar në të gjithë rajonet më të rëndësishme në mbarë botën. Nga viti në vit, nga dekada në dekadë, Kastrati Group ka intensifikuar investimet në një sërë sektorësh të tjerë të rëndësishëm, çka e bën atë një nga grupet më të rëndësishme të investitorëve në Shqipëri, rajon dhe më gjerë.
Me këtë lëvizje Kastrati Group synon suksesin dhe si një lider mediatik për trevat shqipfolëse.